Sindikata më e madhe e punës në Francë CGT bëri thirrje për një grevë njëditore në të gjithë vendin kundër largimeve masive nga puna, transmeton Anadolu.
Sipas mediave kombëtare, ka ngjallur reagime fakti se 250 institucione të ndryshme punëdhënëse në Francë, veçanërisht në sektorin industrial, po përgatiten për largime masive nga puna.
Sindikata më e madhe në vend CGT njoftoi se 170 deri në 200 mijë njerëz janë në rrezik të humbasin punën e tyre dhe u bëri thirrje anëtarëve të saj për veprim.
Në kuadër të kësaj, sindikata u kërkoi punëtorëve që më 12 dhjetor të ndalojnë punën njëditore në të gjithë vendin dhe të protestojnë para fabrikave.
Sekretarja e Përgjithshme e CGT-së, Sophie Binet i ka bërë thirrje qeverisë të zbatojë një plan urgjent veprimi për të kundërshtuar vendimin e punëdhënësve për të lënë mijëra punëtorë pa punë.
Binet tha se qeveria nuk duhet të lejojë mbylljen e vendeve të punës që operojnë në sektorin industrial dhe largimet nga puna.
Gjithashtu edhe punonjësit e hekurudhave në Francë do të hyjnë në një grevë të pacaktuar më 11 dhjetor.