Autoritetet franceze gjatë vitit 2016 kanë lëshuar urdhër për bllokimin dhe kërkimin e qindra ueb-faqeve, që paraqet rritje të konsiderueshme në raport me një vit më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bruno Le Roux gjatë një fjalimi në konferencën për sigurinë kibernetike deklaroi se qeveria e tij në vitin 2016 ka kërkuar bllokimin e 834 faqeve të internetit dhe hulumtimin e 1.929 të tjerave, në kuadër të luftës kundër pornografisë me fëmijë dhe përmbajtjeve terroriste.
Duke mos dhënë më shumë detaje, Le Roux tha se shifrat që prezantoi paraqesin “rritje të madhe” në krahasim me të dhënat mbi online sigurinë nga viti 2015. Sipas ligjit nga viti 2011, autoritetet franceze mund të bllokojnë internet faqet pa urdhër të gjykatës.