Kufizimet e vendosura nga qeveria si pjesë e luftës kundër Covid-19 në Francë dhe vaksinimi i detyrueshëm u protestuan edhe një herë në të gjithë vendin.
Demonstratat kundër vaksinimit të detyrueshëm për profesione të caktuara dhe zbatimit të certifikatës së shëndetit po vazhdojnë prej 6 javësh në kryeqytetin Paris dhe shumë qytete të tjera të vendit.
Tubimet u zhvilluan në 4 pika të ndryshme të Parisit, ku morën pjesë edhe jelekëverdhët.
Duke marshuar nga sheshi “Place du Châtelet” drejt senatit, protestuesit lëshuan parulla dhe mbanin pankarta kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe lejes së shëndetit.
Policia kishte marrë masa të shumta sigurie në kryeqytet.
Në Montpellier, tensioni u rrit midis protestuesve dhe policisë që ndërhyri me gaz lotsjellës.
Tubime u organizuan gjithashtu edhe në Lyon, Valence, Annecy, Strasburg, Rennes, Lille, Orléans, Nantes, Nice dhe Marseille.
Ligji për lejen e shëndetit, që më 5 gusht u miratua nga Këshilli Kushtetues i Francës dhe më 9 gusht hyri në fuqi, kërkon vërtetimin e statusit të vaksinës kundër Covid-19, paraqitjen e një testi negativ të PCR brenda 72 orëve ose një certifikatë që tregon se e ke kaluar sëmundjen brenda 6 muajve për të hyrë në qendrat tregtare, restorantet, kafeteritë, kinematë, muzetë dhe parqet argëtuese dhe në hapësira të mbyllura me një kapacitet prej më shumë se 50 personash, me përjashtim të spitaleve dhe shtëpive të kujdesit për moshën e tretë dhe gjatë udhëtimeve ndërrajonale.
Për më tepër, ligji e bën të detyrueshëm vaksinimin antiCovid për personelin e shtëpive të të moshuarve, personelin mjekësor dhe zjarrfikësit. /trt