Franca zotohet të ndalojë fluksin e refugjatëve afganë me mekanizëm evropian

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke parashikuar një fluks të madh emigrantësh të parregullt nga kriza e vazhdueshme në Afganistan, tha se shtetet evropiane do të krijojnë një “nismë me vendet tranzitore” për të mbrojtur ardhjen e tyre në kontinentin evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas skenave kaotike që u panë në aeroportin e Kabulit një ditë pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit, Macron tha se Evropa duhet të mbrohet nga emigrantët e parregullt.

Në një fjalim televiziv të mbajtur dje pasi drejtoi takimin e veçantë të këshillit të mbrojtjes për Afganistanin, presidenti francez i quajti ngjarjet “një pikë kthese historike” dhe tha se destabilizimi aktual i sigurisë paraqet rrezik për të shkaktuar një “fluks të flukseve të parregullta të emigranteve në Evropë”.

Ai u shpreh se afganët përballen me “sfida të tmerrshme dhe të mëdha në javët dhe muajt e ardhshëm”, duke shtuar se “përfundimisht Afganistani e ka fatin e vet në duart e veta” dhe Franca do të mbetet në solidaritet përkrah grave afgane.

Përderisa Franca po bën dhe do të vazhdojë të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur ata që janë më të kërcënuar, Macron theksoi se Evropa gjithashtu duhet “të parashikojë dhe të mbrohet” ndaj “rrjedhave të rëndësishme të parregullta të emigranteve”.

Pas bisedimeve me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe krerët e tjerë të shteteve evropiane, Macron njoftoi një iniciativë të re që sipas tij duhet ndërtuar urgjentisht “për të luftuar kundër rrjedhave të parregullta, për të arritur solidaritetin në përpjekje, harmonizimin e kritereve të mbrojtjes dhe krijimin e bashkëpunimit me vendet tranzitore dhe pritëse si Pakistani, Irani dhe Turqia”.

Vendet fqinje të Afganistanit, Pakistani dhe Irani, tashmë po strehojnë numër të madh refugjatësh si pasojë e konfliktit mbi katër dekada.

Detajet e sakta të mekanizmit mund të shpallen në ditët në vijim. BE në vitin 2016 arriti një marrëveshje të ngjashme me Turqinë pas konfliktit në Siri, për t’u siguruar që refugjatët të mos dyndeshin drejt territorin evropian. Sipas marrëveshjes, Ankarasë i janë paguar 6 miliardë euro ndihmë për të kufizuar hapjen e rrugëve të reja migruese, për të parandaluar numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të parregullt nga përpjekjet që të hyjnë në Evropë, si dhe për të risistemuar refugjatët sirianë.

Macron vuri në dukje se grupet terroriste vazhdojnë të qëndrojnë të pranishme në Afganistan, duke tentuar të përfitojnë nga destabilizimi. Ai paralajmëroi se Afganistani nuk duhet të bëhet përsëri vendstrehim i terrorizmit. Sipas tij, Franca do të vazhdojë të luftojë në mënyrë aktive kundër “terrorizmit islamik” në të gjitha rrethanat dhe do të koordinojë dhe bashkëpunojë me Rusinë, SHBA-në dhe Evropën për paqen, stabilitetin ndërkombëtar dhe luftën kundër një armiku të përbashkët të terrorizmit. /aa