Me gjithë mungesën e Karim Benzemas, sulmi i Francës ka funksionuar si duhet në ndeshjen e parë të Botërorit “Katari 2022”.
Të martën mbrëma, Franca fitoi 4:1 ndaj Australisë. Kështu francezët nisën me fitore bindëse mbrojtjen e titullit që e fituan katër vjet më parë në Rusi.
Australia kaloi në epërsi në minutën e nëntë kur Craig Goodwin shënoi gol të bukur. Por australianët nuk patën forcë për të mbajtur epërsinë, përkatësisht për të përballur sulmin e “trekolorëve”.
Adrian Rabiot barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 27-të.
Në minutën e 32-të në skenë doli Olivier Giroud, që shënoi për 2:1. Në mungesë të fituesit të Topit të Artë, Benzema, Giroud ka zënë vend në sulmin e frikshëm të Francës.
Superylli Kylian Mbappe shënoi gol të bukur në minutën e 68-të për rezultatin 3:1. Ndërsa dilemat për fituesin u hoqën përfundimisht në minutën e 71-të. Mbappe këtë herë asistoi për Giroudin që realizoi me goditje me kokë për 4:1.
Giroud me dy golat e së martës është barazuar me Thierry Henry si realizatorët më të mirë në histori të përfaqësueses së Francës.
Ndërkohë Franca me paraqitjen bindëse ndaj Australisë është konfirmuar si pretendente për titull të kampionit.