Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Franca shtrëngon rregullat, fëmijët nën 15-vjeç nuk mund të përdorin rrjete sociale...

Franca shtrëngon rregullat, fëmijët nën 15-vjeç nuk mund të përdorin rrjete sociale pa pëlqimin e prindërve

Franca që nga viti 2023 e ka bërë të detyrueshme që fëmijët nën moshën 15-vjeçare të marrin pëlqimin e prindërve për t’u regjistruar në platformat e mediave sociale, të cilave u kërkohet të zbatojnë një sistem për të verifikuar nëse ai pëlqim është marrë, raporton Anadolu.

Sipas të dhënave të siguruara nga Shoqata “e-Enfance” për mbrojtjen e fëmijëve në internet, 82 për qind e të miturve janë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme në internet, përfshirë ndaj shitjes së drogave dhe armëve dhe fotografive dhe videove të papërshtatshme.

Gjithashtu, përdorimi i mediave sociale ka çuar në rritjen e incidenteve të përjashtimit dhe ngacmimeve verbale në shkolla. Sipas një raporti të vitit 2023 nga Shoqata “e-Enfance”, 67 për qind e fëmijëve të moshës 8-10 vjeç dhe 86 për qind e atyre të moshës 8-18 vjeç përdorin mediat sociale në Francë.

Një në katër familje në Francë gjithashtu përballen me bullizëm kibernetik. Midis fëmijëve që i nënshtrohen bullizmit kibernetik, 51 për qind e tyre përballen me sfida në edukimin e tyre ndërsa 52 për qind përballen me çrregullime të gjumit dhe humbje të oreksit.

Derisa ekspozimi i fëmijëve në internet dhe rreziku rritet me shpejtësi, qeveria franceze po ndërmerr hapa për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e fëmijëve.

Këto masa përfshijnë luftimin e bullizmit dhe të bullizmit kibernetik në shkolla, parandalimin e qasjes së fëmijëve në përmbajtje të papërshtatshme, detyrimin për të verifikuar moshën për uebfaqe të caktuara si dhe marrjen parasysh të efekteve të shëndetit mendor të përmbajtjeve të dëmshme digjitale tek fëmijët.

Sipas ligjit të miratuar në vitin 2023 në Francë, me qëllim për luftimin e urrejtjes në mediat sociale, kërkohet pëlqimi i prindërve që fëmijët nën moshën 15-vjeç të regjistrohen në platforma sociale. Ky ligj po ashtu kërkon që platformat sociale të krijojnë një sistem për të verifikuar moshën e përdoruesve dhe pëlqimin prindëror për qasje në to.

Autoritetet franceze mund të vendosin gjoba deri në 1 për qind të të ardhurave globale për platformat që nuk respektojnë këto rregulla. Përveç kësaj, prindërit mund të kërkojnë pezullimin e llogarive të mediave sociale të fëmijëve të tyre të moshës nën 15-vjeç.

Laura Morin, drejtoreshë e përgjithshme e Shoqatës “L’Enfant Bleu”, që lufton dhunën ndaj fëmijëve, tha se organizata që drejton ajo që nga viti 1989 ka trajtuar viktimizimin e fëmijëve të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të abuzimit, përfshirë neglizhencën fizike, seksuale dhe atë psikologjike.

Duke folur për Anadolu, Morin tha se prindërit dhe të rriturit duhet të kenë kujdes në lidhje me internetin për shkak të pamjaftueshmërisë së rregulloreve ligjore. Ajo theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për të inkurajuar prindërit që të marrin përsipër misionin e udhëzimit të fëmijëve.

Ajo theksoi rreziqet e shumta në internet, duke shpjeguar se prindërit shpesh nuk e kuptojnë se shpërndarja e një fotografie të fëmijës së tyre në rrjetet sociale është e njëjtë me shpërndarjen e asaj fotografie tek të panjohurit në rrugë.

– Fëmijët e moshës deri në 8-vjeç mund të hapin llogari në media sociale

Më tej, Morin thekson se fëmijët janë të pambrojtur në internet dhe mund të hapin llogari në media sociale që nga mosha 8-vjeçare. Ajo tha se kjo situatë paraqet rreziqe të ngjashme si me ato të fëmijëve që enden të pambrojtur në rrugë.

Ajo tha se të rriturit mbi një moshë të caktuar mund të shfaqen si fëmijë në internet, gjë që tek fëmijët mund të jetë e vështirë për t’i dalluar ato. Kjo, sipas saj, mund të çojë në pasoja të rënda si shpërdorimi i besimit të fëmijëve dhe kërkesa për fotografi nudo.

Morin tha se abuzuesit e fëmijëve shpesh fitojnë besimin e fëmijëve duke u paraqitur si “miq të mirë, të besuar ose persona të ngjashëm”, ndërsa më vonë bëjnë kërkesa seksuale, të tilla si dërgimi i fotografive nudo. Siç theksoi ajo, vajzat apo djemtë që bien në këtë kurth, gradualisht kthehen krejtësisht në të pambrojtur.

“Refleksi ynë i parë duhet të jetë të kujtojmë se një fëmijë nuk duhet të lihet kurrë vetëm me një ekran digjital”, tha Morin, duke i quajtur telefonat, tabletët dhe kompjuterët një “dritare e hapur drejt botës”.

Sipas saj, familjet nuk duhet të mbështeten vetëm në programet e kontrollit prindëror në pajisjet elektronike që përdorin fëmijët e tyre. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Ne e dimë se fëmijët ndonjëherë mund të zbulojnë fjalëkalimet dhe të anashkalojnë kufizimet”, tha ajo.

Morin gjithashtu tha se platformat e mediave sociale janë teorikisht të ndaluara për fëmijët nën 13-vjeç, por në Francë ky kufi moshe është rritur në 15-vjeç.

– Në moshën 13-vjeç, fëmija ka 1.300 fotografi në internet

Morin potencoi se fëmijët mund ta anashkalojnë këtë kufizim duke regjistruar të dhëna të pasakta të ditëlindjes në platforma. “Si rezultat, në mediat sociale ka fëmijë shumë të vegjël. Madje, siç e përmenda më herët, disa kanë llogari duke filluar nga mosha 8-vjeç”, tha ajo.

Ajo shtoi se në kohën kur një fëmijë mbush 13-vjeç, rreth 1.300 fotografi të tyre qarkullojnë në internet.

Morin shtoi se familjet shpesh herë nuk e kuptojnë se fotografitë e fëmijëve të tyre që shpërndajnë në internet, më pas nuk mund të fshihen lehtë.

Exit mobile version