Franca, Rusia dhe SHBA thirrje për armëpushim “të menjëhershëm” në Malësinë e Karabakut

Presidentët e Francës, Rusisë dhe SHBA-ve sot u kanë bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të ndërpresin menjëherë armiqësitë në konfliktin e tyre mbi rajonin e Malësisë së Karabakut që u ndez në fillim të kësaj jave, raporton Anadolu Agency (AA).

Emmanuel Macron, Vladimir Putin dhe Donald Trump në një deklaratë të përbashkët theksuan se udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit duhet të rinisin bisedimet paqësore.

“Ne pikëllohemi për viktimat dhe u shprehim ngushëllimet tona familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve”, tha deklarata.

“Ne po ashtu u bëjmë thirrje udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit që të rifillojnë bisedimet mbi zgjidhjen me mirëbesim dhe pa parakushte, me ndihmën e bashkëkryesuesve të Grupit të Minskut të OSBE-së”, thuhet në deklaratë.

Grupi i Minskut të OSBE-së, bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Një armëpushim u dakordua në vitin 1994.

Përleshjet kufitare shpërthyen përsëri të dielën kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile dhe pozicionet ushtarake të Azerbajxhanit, duke shkaktuar viktima. Parlamenti i Azerbajxhanit shpalli gjendje lufte në disa prej qyteteve dhe rajoneve të tij pas shkeljeve të kufirit të Armenisë dhe sulmeve në Malësinë e Karabakut.

Marrëdhëniet midis dy ish-shteteve sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.