Franca lëshon urdhër arresti për liderin e rrëzuar sirian Bashar Asad

Jean-Noel Barrot

Organet gjyqësore franceze kanë lëshuar urdhër arresti për Bashar Asadin, liderin e rrëzuar të regjimit Baath në Siri, transmeton Anadolu.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha në një deklaratë në llogarinë e tij në X: “Organet gjyqësore franceze kanë lëshuar urdhër arresti kundër Bashar Asadit. Krimet e regjimit, tmerret e të cilave i kam parë në burgun Sednaya, nuk duhet të mbeten të pandëshkuara. Franca ka qenë dhe do të vazhdojë të mobilizohet që të sigurohet drejtësia për sirianët”.

Sipas një deklarate nga Prokuroria Kombëtare Franceze Kundër Terrorizmit (Pnat) të bërë për Anadolu, Pnat ka qenë ajo që ka kërkuar të lëshohej urdhërarresti për Asadin më 16 janar, si pjesë e hetimeve të nisura për vdekjen e një shtetasi francez me origjinë siriane në Siri në vitin 2017.

Sipas një deklarate nga burime gjyqësore franceze, gjyqtarët përgjegjës për hetimin kanë lëshuar urdhrin më 20 janar me akuza si bashkëpunëtor në krime lufte për shkak të vrasjeve dhe sulmeve të qëllimshme kundër civilëve.

Ndryshe, ministri francez Barrot dhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock inspektuan burgun Sednaya, një bazë torturash në kryeqytetin Damask, më 3 janar, pas përmbysjes së regjimit Baath në Siri.

Më parë, më 15 nëntor 2023, një gjykatë në Francë po ashtu kishte lëshuar ​​urdhër arresti për Asadin me akuzën si bashkëfajëtor në krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Gjykata e kishte akuzuar Asadin për krime kundër njerëzimit dhe bashkëpunim në krime lufte lidhur me sulmet kimike në rajonin Guta Lindore të Sirisë në vitin 2013.