Ky është kalimi i tretë që nga shpallja e urdhërarrestit ndërkombëtar
Sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightRadar24, një avion qeveritar izraelit që transportonte kryeministrin Benjamin Netanyahu nga Hungaria drejt Shteteve të Bashkuara ka kaluar përmes hapësirës ajrore franceze, pavarësisht urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
Vitin e kaluar, ICC lëshoi urdhërarrest për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën në Gaza.
Franca, si shtet nënshkrues i Statutit të Romës që themelon ICC-në, është e detyruar ligjërisht të bashkëpunojë me hetimet dhe ndjekjet penale për krimet brenda juridiksionit të gjykatës. Megjithatë, autoritetet franceze kanë të drejtën e përdorimit të vetos për të mos zbatuar ndonjë veprim në këtë drejtim.
Ky është rasti i tretë që Franca lejon avionin e Netanyahut të kalojë në hapësirën e saj ajrore që nga shpallja e urdhërarrestit, pas kalimeve të mëparshme më 2 dhe 9 shkurt, gjatë udhëtimeve të tij drejt dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, javën e kaluar Hungaria njoftoi tërheqjen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, vetëm pak pasi ftoi Netanyahun për një vizitë zyrtare në Budapest. /mesazhi