Franca ka luajtur baras 1-1 ndaj Polonisë në ndeshjen e vlefshme për Grupin D që ishte e fundit e fazës së grupeve në Euro 2024.
Pjesa e parë ishte mjaft e qetë dhe rasti më i mirë gjatë këtij 45 minutëshi erdhi vetëm pak minuta para fundit të saj.
Mbappe në minutën e 42-të e testoi seriozisht portën e polakëve, por Skorupski reagoi mirë duke mos lejuar të mposhtej.
Fraksioni i dytë i këtij takimi ishte më i pasur në aspektin e rasteve për gol ku të dyja ekipet arritën që të shënojnë nga një herë.
“Gjelat” fillimisht rrezikuan përsëri me anë të Mbappes në minutën e 49-të, por sërish Skorupski ia mohoi golin.
Në minutën e 55-të, Dembele fitoi duelin e shpejtësisë ndaj Jakub Kiwior duke e detyruar këtë të fundit të shkaktojë penallti.
Nga pika e bardhë nuk dështoi Mbappe, i cili në minutën e 56-të realizoi për t’i dhënë epërsinë prej 1-0 Francës.
Në të njëjtën mënyrë golin e gjeti edhe Polonia, pasi Dayot Upamecano në minutën e 76-të shkaktoi ndërhyrje të palejueshme brenda zonës.
Penalltinë e goditur nga Lewandowski fillimisht e priti Maignan, por ajo u përsërit pasi kishte dalur me dy këmbët nga vija dhe në tentimin e dytë sulmuesi polak nuk gaboi për 1-1.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndonjë rast për t’u veçuar dhe Franca arriti të marrë vetëm një pikë duke u kualifikuar si e dyta e grupit pas fitores së Austrisë ndaj Holandës.