Një avion charter nga Franca ka kthyer këtë të mërkurë 30 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil politik në këtë shtet.
Ky është avioni i tretë që ulet në Rinas brenda pak ditësh, ndërkohë që një tjeter pritet të vijë pak ditë më vonë.
Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda ka përcjellë mesazh të qartë për të gjithë ata që udhëtojnë drejt Francës apo vende të tjera të BE-së me qëllim kërkimin e azilit. “Shqipëria është vend i sigurtë, s’ka azil për ne”, ka thënë ajo.
Policia e Shtetit po zbaton një plan masash për forcimin e kontrollit kufitar. Sipas zëvendës ministres Voda, gjithçka është konform ligjit shqiptar për kontrollin kufitar, i përafruar me legjislacionin e BE-së, por edhe konform të gjitha masave të lëvizjes së lirë të shtetasve brenda zonës Schengen.
E pranishme në mbikëqyrjen e operacionit të mbërritjes së azilkërkuesve ishte edhe drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna.