Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Franca ka mbajtur stërvitje me skenarin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë”

“Franca ka mbajtur stërvitje me skenarin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë”

Pretendohet se Franca në vjeshtë ka mbajtur një stërvitje të fshehtë lidhur me skenarin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Në lajmin e faqes së internetit Intelligence Online pretendohet se një personel prej 3.200 trupash i Komandës së Operacioneve Speciale Tokësore të Ushtrisë së Francës (CAST) kanë kryer stërvitje mbi skenarin e dërgimit të trupave në Ukrainë në rast se Rusia shënon një avancim të mundshëm përmes Bjellorusisë.

Në lajm theksohet se stërvitja e fshehtë e emërtuar “Persee” u mbajt në një zonë të ngjashme me kthesën e lumit Dnieper të Ukrainës.

“Në stërvitjen që ka zgjatur një javë u punua mbi manovrat ushtarake që ushtria ukrainase përdori në shkurt 2022 për të ndaluar përparimin e ushtrisë ruse”, thuhet në lajm dhe bëhet e ditur se gjatë stërvitjes u përdorën dronët francezë dhe kinezë.

Gjithashtu pretendohet se disa pjesëmarrës u befasuan nga përdorimi i gjerë i dronëve kinezë në misione të tilla të ndjeshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vitin e kaluar deklaroi se “dërgimi i ushtarëve në Ukrainë nuk përjashtohet”.

Edhe në lajmin e gazetës Le Monde në nëntor 2024 u pretendua se Franca dhe Britania kanë vlerësuar sërish alternativën për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainën e cila lufton kundër Rusisë.

Gazeta edhe javën e kaluar ndau një lajm ku theksohej se Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, diskutuan sërish mundësinë e dërgimit të ushtarëve evropianë në territoret e Ukrainës.

Exit mobile version