Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Franca i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga Lartësitë e Golanit të...

Franca i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga Lartësitë e Golanit të Sirisë

Franca i bëri thirrje Izraelit të tërhiqet nga Lartësitë e Golanit të Sirisë, sipas një deklarate zyrtare nga Ministria e Jashtme, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme franceze rikujtoi se “siç tregohet nga Kombet e Bashkuara, çdo vendosje ushtarake në zonën e ndarjes midis Izraelit dhe Sirisë është shkelje e Marrëveshjes së vitit 1974 për Mosangazhim, e cila duhet të respektohet nga nënshkruesit e saj, Izraeli dhe Siria”.

“Franca i bën thirrje Izraelit të tërhiqet nga zona dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Ministria përsëriti “mbështetjen e plotë” të Parisit për Forcën Vëzhguese të Mosangazhimit së Kombeve të Bashkuara (UNDOF) në Golan.

Izraeli ka zgjeruar pushtimin e tij në Lartësitë e Golanit sirian këtë javë duke pushtuar zonën tampon të çmilitarizuar të mbikëqyrur nga OKB-ja, disa orë pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.

Asadi u largua nga Siria në Rusi, ku iu dha azil pasi grupet kundër regjimit pushtuan kryeqytetin Damaskun të dielën, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Menjëherë pas kësaj, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi rënien e marrëveshjes së monitoruar nga OKB-ja, e cila krijoi një zonë tampon midis Izraelit dhe Sirisë.

Ushtria izraelite mori kontrollin e majës së malit Hermon në anën siriane të kufirit dhe disa lokacione të tjera.

Ushtria gjithashtu kreu dhjetëra sulme ajrore kundër bazave ushtarake, stacioneve të mbrojtjes ajrore dhe shtabit të inteligjencës, si dhe depove të raketave me rreze të gjatë dhe të shkurtër dhe rezervave të armëve jokonvencionale në gjithë Sirinë.

Marrëveshja e Mosangazhimit u nënshkrua më 31 maj 1974 midis Sirisë dhe Izraelit në prani të përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara, ish-Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

Marrëveshja përcakton tërheqjen e Izraelit nga të gjitha zonat që kishte pushtuar gjatë luftës së vitit 1973, si dhe një zonë prej rreth 25 kilometrash katrorë që përfshinte Kuneitrën dhe vendndodhje të tjera.

Marrëveshja përcakton kufirin aktual midis Izraelit dhe Sirisë së bashku me marrëveshjet shoqëruese ushtarake, duke krijuar dy linja ndarëse – izraelite (blu) dhe siriane (e kuqe) – me një zonë tampon midis tyre.

Marrëveshja monitorohet nga Forca Vëzhguese e Mosangazhimit e Kombeve të Bashkuara (UNDOF), ndërsa ajo ka për detyrë të ruajë armëpushimin midis Izraelit dhe Sirisë pas Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973.

Exit mobile version