Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Franca goditet nga grevë e madhe në sektorin publik

Franca goditet nga grevë e madhe në sektorin publik

Shërbimet publike franceze të martën do të kenë pengesa të mëdha pasi miliona punëtorë do të mbajnë grevë në shenjë proteste ndaj reformave të punës të qeverisë dhe shkurtimeve të planifikuara të vendeve të punës, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 5,4 milionë punonjës të sektorit publik do t’i bashkangjiten grevës, në gati 130 tubime dhe ngjarje të planifikuara në 90 rajone administrative të Francës. Ky është aksioni i katërt i madh industrial që kur Presidenti francez Emmanuel Macron erdhi në pushtet majin e kaluar.

Greva u thirr nga nëntë sindikatat kryesore të vendit, përfshirë sindikatat CFDT, CGT, FO dhe Unsa, për të protestuar kundër reformave të punës në përgjithësi dhe në veçanti kundër planeve për të ngrirë pagat, për të shtrënguar rregullat për ditët në pushim mjekësor dhe për të shkurtuar 120.000 vende pune në sektorin publik deri në vitin 2022.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Francës i bëri thirrje kompanive ajrore të anulojnë 30 për qind të fluturimeve të tyre, ndërsa tramvajët, autobusët dhe trenat nëntokësorë pritet të jenë të ndikuar deri nesër në mëngjes.

Policia, mësuesit dhe, për herë të parë që nga viti 2009, stafi mjekësor, janë duke marrë pjesë gjithashtu.

Shërbimet e përgjithshme hekurudhore nuk janë prekur.

Pavarësisht grevës së të martës, sindikatat e mëdha të vendit nuk kanë arritur të bien dakord për një strategji të përbashkët për t’u përballur me reformat e qeverisë pas mbajtjes së një takimi të përbashkët të hënën vonë.

Veronique Descacq, zëvendëssekretari i përgjithshëm i CFDT-së, tha se sindikatat planifikojnë të takohen përsëri më 24 tetor. CGT-ja e lidhur me Partinë Komuniste bëri thirrje për një ditë tjetër të mobilizimit më 19 tetor.

Macron – i cili sot në Gjermani takohet me Kancelaren Angela Merkel – muajin e kaluar nënshkroi në ligj me pesë dekrete që përmbante reforma diskutabile. Këto pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pasi dekretet e tjera nënshkruhen para fundit të vitit 2017.

Për udhëheqësin francez dhe kryeministrin Edouard Philippe, reformat synojnë modernizimin e kodit të punës të vendit.

Megjithatë, Philippe Martinez, kreu i CGT-së, i ka quajtur reformat një “grusht shteti shoqëror”./Mesazhi/

Exit mobile version