Kombëtarja e Francës ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Belgjikës për të siguruar kështu kualifikimin në çerekfinale të Euro 2024.
Franca pati iniciativën pothuajse gjatë tërë kësaj pjese por duke mos arritur që të shënojë gol kjo falë mbrojtjes së ngjeshur të mbrojtjes së Belgjikës.
Rasti i parë në këtë pjesë të parë i takoi Belgjikës me Kevin De Bruyne, i cili në minutën e 24-të bëri një gjuajtje të rrezikshme nga goditja e dënimit e cila u prit nga Mike Maignan.
Një mundësi të mirë shënimi Franca e pati përmes Marcus Thuram i cili me kokë nuk arriti ta gjejë portën pas krosimit fantastik të Jules Kounde.
Në çastet e fundit të pjesës së parë një rast e pati edhe Aurelien Tchouameni, por ylli i Real Madridit gjuajti mbi portë.
Në pjesën e dytë Franca shtoi ritmin duke rrezikuar në disa raste portën e Koen Casteels.
Tchouameni në minutën e 49-të bëri një super goditje nga jashtë zonës e cila me shumë mund u prit nga portieri belg.
Belgjika ishte shumë pranë golit me anë të Kevin De Bruyne i cili në minutën e 83-të u gjend në një situatë të mirë shënimi, por Maignan reagoi për mrekulli.
Goli i fitores për Francën në këtë takim erdhi në minutën e 85-të kur pas një aksioni mirë të ndërtuar, Kolo Muani gjuan në drejtim të portës me topin që devijohet nga Jan Vertonghen për të përfunduar në rrjetë për 1-0.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Franca e menaxhoi mirë epërsinë e krijuar për t’u kualifikuar kështu në çerekfinale të Kampionatit Evropian.
Për të mësuar kundërshtarin e ardhshëm në çerekfinale, Franca do të duhet të presë fituesin e ndeshjes Portugali-Slloveni e cila do të luhet në orën 21:00.