Franca e Gjermania reagojnë pas vendimit të Bidenit për luftën në Ukrainë

Franca, e cila i ka ofruar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, të hënën la të nënkuptohej se lejimi i Kievit për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë ka mbetur një opsion në tryezë për të.

“Ne thamë hapur se ky ishte një opsion që do ta shqyrtonim nëse do të lejohej goditja e një objektivi nga ku Rusia po sulmon aktualisht territorin ukrainas”, u ka thënë gazetarëve ministri francez për Evropë dhe Punë të Jashtme, Jean-Noel Barrot, përpara një takimi të ministrave të BE-së në Bruksel të hënën, raporton Reuters.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ka lejuar Ukrainën të përdorë armë të prodhuara nga SHBA-ja për të goditur thellë Rusinë, thanë të dielën dy zyrtarë amerikanë dhe një burim i njohur me vendimin, në një ndryshim të rëndësishëm të politikës së Washingtonit në konfliktin Ukrainë-Rusi.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka deklaruar të hënën se Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim të rëndësishëm për sa i përket mbështetjes së saj ushtarake për Ukrainën.

Ajo ka shtuar se ky nuk është një ndryshim në strategjinë e Perëndimit.

“Vendimi nga pala amerikane, dhe dua të theksoj se ky nuk është një rimendim, por një intensifikim i asaj që tashmë është dhënë nga partnerët e tjerë, është kaq i rëndësishëm në këtë moment”, ka thënë Baerbock në Bruksel po ashtu para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Kryediplomatja gjermane lëshoi gjithashtu një paralajmërim për mbështetësit e presidentit rus, Vladimir Putin dhe tha se Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të reja kundër Iranit, si dhe po shqyrton çështjen e mbështetjes së dronëve kinezë.