Franca do të hapë arkivat e saj të Luftës Algjeriane për Pavarësi

Franca do të bëjë publike 15 vite përpara nga data e caktuar një pjesë të arkivave zyrtare shtetërore lidhur me Luftën Algjeriane për Pavarësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Kulturës, Roselyne Bachelot në një deklaratë për BFMTV tha se 15 vite përpara datës së caktuar do të hapin arkivat lidhur me hetimet gjyqësore të policisë dhe xhandarmërisë në luftën 1954-1962 në Algjeri.

Duke mbrojtur idenë e saj se të vërtetat historike në fjalë janë manipuluar, Bachelot tha se kanë arritur në këtë vendimmarrje për të parandaluar shtrembërimet dhe për t’u përballur me çështjen.

Në pyetjen nëse vendimi për hapjen e arkivave mund të rezultojë me mundësinë e zbulimit të veprimeve torturuese të ushtrisë së Francës në Algjeri, ministrja franceze tha se pranimi i kësaj do të jetë në dobi të Francës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron në një deklaratë në muajin mars premtoi hapjen e rrugës për të arritur qasje në arkivat e fshehta më të vjetra se 50 vite lidhur me Luftën e Algjerisë për Pavarësi.

Në anën tjetër ka tërhequr vëmendjen se deklaratat e ministres së Kulturës janë bërë dy ditë pas vizitës zyrtare që ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian zhvilloi në Algjeri.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan pasi Macron pretendoi se historia e Algjerisë nuk është e bazuar në të vërteta, se ajo është ndërtuar mbi armiqësinë ndaj Francës dhe pas cilësimit të dominimit Osman në vend si “kolonializëm”.

Deklaratat e Macron-it u pritën me reagime të shumta në Algjeri si nga pala zyrtare ashtu edhe nga pala civile. /aa