Franca dhe Polonia kanë shprehur një qëllim të përbashkët për të arritur unitetin në Evropë dhe paqen në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili qëndron për vizitë në Varshavë, është takuar me kryeministrin polak, Donald Tusk, pas çka kanë folur në një konferencë të përbashkët për media.
“Ne e kemi një vizion të përbashkët, se e vetmja paqe e mundshme është paqja e qëndrueshme, që do të thotë një paqe e negociuar nga ukrainasit që do t’i lejojë ata të kenë zgjidhje afatgjate të sigurisë”, tha presidenti Macron në konferencën për media.
“Ne ndajmë të njëjtin vullnet për të thënë ‘nuk ka paqe në Ukrainë pa ukrainasë’, që do të thotë se askush nuk mund të diskutojë për ukrainasit, në emër të tyre, për koncesione. Është në dorën e ukrainasve ta bëjnë këtë. Gjithashtu nuk ka siguri në Evropë pa evropianët”, shtoi Macron.
Presidenti francez falënderoi Poloninë për përpjekjet e saj për të mbështetur Kievin gjatë luftës.
Kryeministri Tusk, nga ana e tij, falënderoi reciprokisht presidentin Macron dhe Francën, si dhe theksoi nevojën për një “vizion të qartë” të Evropës dhe të ardhmes së fqinjësisë së saj.
Tusk përshëndeti përparimin që Polonia ka bërë së bashku me vendet nordike dhe baltike në përpjekjet e tyre për të sjellë një zgjidhje për luftën në Ukrainë.
“Pas diskutimeve, ne vërejmë nevojën e një uniteti absolut në Evropë, për të vepruar në favor të paqes në Ukrainë”, tha ai.
Kryeministri polak theksoi se vendi i tij është vendi që ka mbajtur barrën më të madhe në lidhje me luftën në Ukrainë, përfshirë për mbështetjen ushtarake dhe financiare.
“Polonia është ajo që pret qendrën logjistike, unike në zhanrin e saj, që shërben për transferimin e ndihmës në Ukrainë. Ne jemi ata që mbajmë barrën e sigurisë së kufirit lindor të BE-së”, tha Tusk.
Pritet që presidenti Macron të kthehet në Paris pas një takimi të planifikuar me homologun e tij polak, Andrzej Duda.