Londra dhe Parisi janë zotuar të enjten, 25 nëntor, se do të marrin masa për të kufizuar migrimin dhe për të shkatërruar rrjetet e trafikimit me njerëz, pasi të paktën 27 migrantë janë përmbytur të mërkurën (më 24 nëntor), duke kaluar Kanalin Anglez nga Franca në Britani.
Migrantët kanë vdekur pas fundosjes së barkës së tyre prej gome, duke shënuar tragjedinë më vdekjeprurëse prej kur Kanali është bërë rrugë për migrantët.
Ministr francez i Mbrojtjes, Gerald Darmanin, ka thënë se 34 persona besohet se kanë qenë në barkë.
Operacioni i përbashkët britaniko-francez për kërkim-shpëtim është ndalur pas gjetjes së të gjithë trupave dhe dy të mbijetuarve.
Kombësia e migrantëve nuk dihet ende.
Darmanin ka thënë se personat e dyshuar që kanë trafikuar njerëzit e lidhur me aksidentin, tashmë janë arrestuar.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur me kryeministrin britanik, Boris Johnson për të rritur përpjekjet që të ndalohen trafikantët që besohet se janë fajtorë për rritje të numrit të migrantëve.
Johnson dhe Macron janë pajtuar për “urgjencë të rritjes së përpjekjeve për të parandaluar kalimet vdekjeprurëse” dhe se “është shumë e rëndësishme që të diskutohen të gjitha mundësitë në tavolinë” për të thyer modelin biznesor të bandave që trafikojnë njerëz, ka thënë Zyra e kryeministrit britanik.
Franca dhe Britania bashkëpunojnë për të ndalur migrimin në Kanal, por edhe fajësojnë njëra-tjetrën se nuk po bëjnë mjaftueshëm.
Prej kur Mbretëria e Bashkuar ka dalë nga Bashkimi Evropian, tensionet mes këtij vendi dhe Francës janë rritur edhe për mospajtime tjera, përfshirë të drejtat e peshkimit.
Macron ka thënë se Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet “varrezë”.
Ai ka bërë thirrje për rritje të fondeve për Agjencinë e Bashkimit Evropian për Migrim, Frontex, dhe për një takim urgjent të ministrave të BE-së për të adresuar çështjen e migrimit.
“Franca nuk do të lejojë që Kanali të bëhet varrezë”, ka thënë Macron, sipas zyrës së tij.
Johnson, në anën tjetër, ka zhvilluar një takim me Komitetin për Kriza të Qeverisë së tij dhe ka thënë se është “i shokuar dhe thellësisht i mërzitur”.
Ai i ka bërë thirrje Francës që të bëjë më shumë për të ndalur valën e migrantëve, duke thënë se përpjekjet e Francës për të patrulluar zonën bregdetare, nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona kanë tentuar të kalojnë Kanalin drejt Britanisë prej fillimit të vitit dhe 7,800 persona janë shpëtuar në det.
Sipas autoriteteve britanike, më shumë se 25,000 persona kanë arritur ilegalisht këtë vit në Britani, shifër tri herë më e lartë sesa më 2020. /rel