Pretendohet se Franca dhe Britania e Madhe po rishqyrtojnë opsionin për të dërguar ushtarë në Ukrainë e cila lufton kundër Rusisë, transmeton Anadolu.
Sipas një artikulli të gazetës “Le Monde” të cilin e bazon në burime të afërta, thuhet se pasi Donald Trump u rizgjodh president i SHBA-së, Franca dhe Britania po diskutojnë sërish opsionin për krijimin e një force të koalicionit të udhëhequr prej tyre në Ukrainë.
Në lajm rikujtohet deklarata e dhënë në shkurt nga presidenti francez Emmanuel Macron se “nuk përjashtohet mundësia e dërgimit të trupave në Ukrainë” shkaktoi reagime nga vendet perëndimore, kryesisht Gjermania ndërsa më tej pretendohet se ky opsion nuk është pezulluar plotësisht.
Bisedimet mes vendeve evropiane lidhur me dërgimin e trupave perëndimore dhe grupeve të mbrojtjes speciale në Ukrainë, u ndezën sërish me vizitën që kryeministri britanik, Keir Starmer zhvilloi më 11 nëntor në Francë.
Sipas një burimi ushtarak britanik, vazhdojnë negociatat “mes Britanisë dhe Francës për krijimin e një grupi bërthamë aleat në Evropë të fokusuar në mbrojtjen e Ukrainës dhe kontinentit”.
Në një deklaratë në shkurt, Macron tha se mes vendeve të Evropës nuk kishte unitet në propozimin për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë që lufton kundër Rusisë, por që kjo mundësi nuk duhet të përjashtohet.
Për shkak të këtyre deklaratave, opozitarët francezë akuzuan Macronin “për futjen e vendit në luftë”, ndërsa edhe disa vende evropiane reaguan ndaj Macronit dhe mbrojtën idenë se nuk bëhet fjalë për mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë.