Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron paralajmëruan se nëse Rusia fiton në Ukrainë “do të humbasim të gjithë”, transmeton Anadolu.
Sejourne dhe Cameron bënë vlerësime për situatën në Ukrainë në artikullin e tyre të përbashkët për gazetën “The Telegraph”.
Ministrat folën për bashkëpunimin e përbashkët në kuadër të 120-vjetorit të Antante Cordiale, traktatit të miqësisë së nënshkruar mes dy vendeve si dhe u bënë thirrje vendeve të tjera që të mbështesin Ukrainën kundër Rusisë.
Duke theksuar nevojën për të rritur ndihmën për rajonin, Sejourne dhe Cameron shkruan në artikullin e tyre të përbashkët: “Nëse Ukraina humbet, do të humbasim të gjithë. Kostoja e mosmbështetjes së Ukrainës do të jetë shumë më e lartë se kostoja e zmbrapsjes së Putinit”.
Ata thanë se duhet bërë më shumë për të mposhtur Rusinë dhe se “e gjithë bota po i shikon dhe do t’i gjykojë (ata) nëse nuk arrijnë të mbështesin Ukrainën”.