Franca dënoi bastisjen e Xhamisë Al-Aksa të kryer nga ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, transmeton Anadolu.
“Franca dënon vizitën e djeshme të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, z. Ben Gvir, në Esplanadën e Xhamive”, tha Ministria e Jashtme franceze në një deklaratë, duke iu referuar kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Në deklaratë theksohet se veprime të tilla shkelnin “status quo-në historike të Vendeve të Shenjta në Kuds”.
“Në Kuds, vënia në pikëpyetje në mënyrë sistematike e status quo-së në Esplanadën e Xhamive krijon një rrezik për një përshkallëzim të përgjithësuar”, tha MPJ-ja franceze.
Duke theksuar nevojën për të ruajtur status quo-në historike në vendet e shenjta në Kuds, në deklaratë gjithashtu theksohet “rëndësia e rolit specifik të Jordanisë në këtë drejtim”.
Ben-Gvir, i shoqëruar nga policia izraelite, mëngjesin e së enjtes kreu bastisje në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.
Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët e paligjshëm në kompleks pothuajse çdo ditë, me përjashtim të të premteve dhe të shtunave.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ky është lokacioni ku ndodheshin dy tempujt hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli më pas aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.