Numri i foshnjave të lindura në Francë dhe Evropë ka shënuar rënie drastike dhe gjendja është alarmante në Bullgari, raporton Instituti i Statistikave Kombëtare të Francës, shkruan “Economie Matin”.
Ka pasur një rënie të foshnjave të lindura në Francë prej dy për qind në krahasim me vitin 2015, dhe në krahasim me vitin e kaluar bëhet fjalë për 2.7 për qind. Nëse ky trend vazhdon, është e mundur këtë vit në Francë të kenë lindur më pak se 730 mijë foshnja, transmeton albinfo.ch.
Gazeta franceze thotë se ende nuk ka të dhëna për vitin 2016 për Bashkimin Evropian. Për vitin 2015 janë regjistruar 5.09 milionë lindje, ndaj 5.2 milionë vdekjeve.
Më alarmuese është raporti në Bullgari me 70.000 lindje krahas 110.000 vdekjeve. Në Gjermani të porsalindurit janë rreth 200.000 më pak se të vdekurit. Në Itali një “mungesë” arriti në 160.000. Situata është shqetësuese në Greqi, Rumani, Portugali dhe Hungari.
“Economie Matin” thekson se pas disa dekadash popullsia në Itali me trendin aktual do të bie në 55 milionë, shumica e të cilëve do të ishin të moshuar.