Në mesin e akuzave ndaj Pavel Durov, themeluesi dhe CEO i aplikacionit të mesazheve Telegram, i cili ishte arrestuar në Francë, është edhe “refuzimi i dhënies së informacion për autoritetet”, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të gazetës britanike “The Guardian”, prokurorja publike e Parisit, Laure Beccuau, ka thënë se akuzat kundër Durov përfshijnë krime të tilla si transaksione të paligjshme, abuzim seksual të fëmijëve, mashtrim dhe refuzim për të dhënë informacion autoriteteve.
Ajo tha se Durov u arrestua si pjesë e hetimit “X”, i cili u hap më 8 korrik pas një hetimi paraprak nga oficerët e Luftës së Krimit të Organizuar.
Durov, i cili po merret në pyetje në polici, po hetohet për 12 krime të ndryshme.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke pohuar se Durov u ndalua si pjesë e hetimit gjyqësor në lidhje me Telegram dhe sipas tij, ky “në asnjë mënyrë nuk ishte një vendim politik”.
– Procesi i arrestimit dhe më pas
Sipas raportimeve në mediat ruse dhe franceze, Durov ishte arrestuar më 24 gusht për akses në përmbajtje të paligjshme në Telegram. Arrestimi i Durov në aeroportin e Parisit, shkaktoi shumë polemika.
Telegram njoftoi se kompania është në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian (BE) dhe i përshkroi akuzat kundër Durov si “absurde”.
Ndërkohë që u bënë shumë reagime nga Rusia në lidhje me ndalimin e Durov, pronari i rrjetit social X, Elon Musk, gjithashtu bëri thirrje për “lirimin” e Durov.
Autoritetet gjyqësore franceze zgjatën periudhën e paraburgimit të Durov. Përderisa periudha e paraburgimit në Francë është e kufizuar në maksimum 96 orë, mund të vendoset nëse Durov do të lirohet apo do të mbahet në arrest në fund të kësaj periudhe.