Formohet Grupi Punues për themelimin e Asociacionit

Gjatë ditës së sotme Presidenti Thaçi ka pritur në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli. Në këtë takim u arrit dakodrimi mes palëve që të krijohet një grup punues, i cili do të draftojë statutin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Zyra e Presidentit përmes një njoftimi dërguar mediave ka dhënë më shumë detaje për punën e këtij grupi.

“Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”,

Në këtë takim të përbashkët po ashtu u bisedua për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.

“Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj u pajtuan që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës, që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë