Në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar një i ri palestinez humbi jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat izraelite gjatë bastisjes në zonë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas dëshmitarëve okularë, pasi forcat izraelite bastisën disa shtëpi në jug të Jeninit, mes të rinjve dhe ushtarëve shpërtheu një përleshje.
Të rinjtë palestinezë të cilët reaguan duke gjuajtur me gurë, forcat izraelite iu kundërpërgjigjën duke përdorur plumba të vërtetë, plumba gome dhe gaz lotsjellës.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror palestinez, Njësia e Ndërlidhjes Palestineze përgjegjëse për komunikimin me palën izraelite njoftoi se gjatë incidenteve humbi jetën 20-vjeçari, Rafik Riyad Gannam.
Dëshmitarët okularë thanë se ushtarët izraelitë arrestuan Gannam, i cili u plagos nga plumbat e vërtetë dhe më vonë njoftuan se i riu palestinez ndërroi jetë.
– Arrestimi i 40 palestinezëve në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite arrestuan 40 palestinezë në bastisjet në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor.
Në një deklaratë me shkrim nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë, thuhet se 30 prej të arrestuarve ishin nga qyteti Silvad në lindje të Ramallahut.
Forcat izraelite, të cilat bastisin shpesh shtëpitë e palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor, arrestojnë palestinezë me akuza të ndryshme.
Pas ndalimeve që janë bërë të zakonshme në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen në qendrat e paraburgimit me ditë të tëra.