Forcat izraelite rrënojnë shtëpinë e një zyrtari të Mesxhid-i Aksasë në Kuds

Forcat izraelite kanë rrënuar shtëpinë e drejtorit të mbrojtjes së Mesxhid-i Aksasë, Fadi Ileyyan, në Kudsin Lindor të pushtuar, me arsyetimin se nuk “posedon leje”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipet e Komunës së Kudsit, që janë të lidhur me Izraelin, bashkë me shumë policë izraelitë rrënuan shtëpinë dy katëshe të Ileyyan-it.

Në ndërtesën e ndërtuar para 10 viteve pa kulm mbi kokë kanë mbetur 17 persona, përfshirë 12 fëmijë.

Aktivisti palestinez, Muhammed Abu Hummus, për AA tha se forcat izraelite kanë zgjedhur vazhdimin e politikës rrënuese-sistematike, pavarësisht raportit të inxhinierëve se ndërtesa mund të licencohej.

Ai tërhoqi vëmendjen se ndërtesa e Ileyyan-it u rrënua për arsye se ai punonte në Mesxhid-i Aksa.

“Rrënimi i kësaj ndërtese është plotësisht për shkaqe politike”, tha ai.

Në operacionin e rrënimit morën pjesë rreth 500 policë izraelitë, ndërsa autoritetet izraelite ende nuk janë prononcuar rreth rastit.

Qeveria izraelite lë pa shtëpi dhjetëra palestinezë çdo vit

Nën pretendime të ndryshme, Izraeli vazhdimisht ka rrënuar shtëpitë dhe ndërtimet e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, rajone të cilat i mban të pushtuara që nga viti 1967.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos”, të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshin 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe në atë të sigurisë.

Burimet lokale thonë se vetëm vitin e kaluar Izraeli rrënoi qindra shtëpi dhe biznese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor me pretendimin se ishin pa leje ose gjendeshin në zonën C.