Forcat izraelite kanë plagosur 25 persona si pasojë e ndërhyrjes ndaj protestave të zhvilluara kundër vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim na Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thuhet se është kryer trajtimi i ndihmës së parë për 135 persona të plagosur dhe të prekur nga gazi lotsjellës në ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj protestuesve palestinezë në zona të ndryshme të qytetit Bablus në veri të Bregut Perëndimor.
Në deklaratë theksohet se 19 persona, përfshirë gazetarë u plagosën me plumba plastikë ndërsa të tjerët të cilët u prekën nga gazi lotsjellës kaluan rrezikun.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në zonën Kafr Qaddum në Qalqilya ku forcat izraelite kanë ndërhyrë me plumba plastikë ndaj protestuesve.
Në zonën Kafr Qaddum thuhet se 6 persona u plagosën nga ndërhyrja me plumba plastikë dhe dhjetëra të tjerë u prekën nga gazi.
Në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor protestohet çdo javë kundër planeve të Izraelit për ndërtimin e njësive të vendbanimeve hebreje dhe konfiskimin e tokave që u përkasin palestinezëve.
Në Bregun Perëndimor, që është nën pushtimin e Izraelit nga viti 1967, ndodhen më shumë se 250 vendbanime ilegale hebreje. Në këto zona jetojnë më shumë se 450 mijë kolonë hebrenj, të cilët e bëjnë edhe më të vështirë jetën për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtim.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebreje që ndodhen në territoret e pushtuara palestineze konsiderohen të paligjshme. /aa