Dymbëdhjetë palestinezë u plagosën kur forcat izraelite ndërhynë në protestat kundër vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa shumë njerëz u prekën nga gazi i hedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Palestinezët mbajtën protesta kundër vendbanimeve ilegale hebreje në shumë pjesë të Bregut Perëndimor, veçanërisht në qytezën Kafr Qaddum pranë qytetit Qalqilya dhe Bayta në Nablus.
Forcat izraelite ndërhynë me plumba gome dhe gaz lotsjellës, ndërsa palestinezët u përgjigjën duke hedhur gurë.
Burimet lokale deklaruan se forcat izraelite plagosën tetë palestinezë në Bayta dhe katër palestinezë në Kafr Qaddum me plumba plastikë, ndërsa shumë njerëz u prekën nga gazi.
Siç njoftohet, një palestinez i plagosur me plumb gome në Bayta u dërgua në spital dhe të tjerët u trajtuan nga ekipet mjekësore në rajon.
Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime ilegale hebreje në Bregun Perëndimor, rajon të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Gati 450.000 kolonë hebrenj që jetojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet kolone hebreje në territorin e okupuar palestinez konsiderohen të paligjshme. /aa