Forcat izraelite bastisin lagjen Silwan në Kuds për të prishur shtëpi

Forcat e policisë izraelite bastisën lagjen Silwan në Kudsin Lindor të okupuar, duke shkaktuar frikë te palestinezët rreth prishjes së shtëpive në zonë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas banorëve lokalë, bastisja izraelite shkaktoi përplasje me banorët palestinezë në vendbanimin Al-Bustan.

Forcat izraelite qëlluan me gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë palestinezët e zemëruar. Dëshmitarët gjithashtu thanë se përmes altoparlantëve të xhamive u bë thirrje për banorët që të mblidheshin për të mbrojtur shtëpitë e tyre.

Sipas banorëve lokalë, forcat izraelite shkatërruan një dyqan palestinez në zonën Al-Bustan.

Nuk ka pasur asnjë koment nga autoritetet izraelite mbi raportimin.

Zyrtarët lokalë në Silwan kanë paralajmëruar më parë për planet e Izraelit për të shkatërruar rreth 100 shtëpi në Al-Bustan nën pretekstin e mungesës së lejes së ndërtimit, dhe ndërtimit të një kopshti biblik në vend të tyre.

Autoritetet izraelite tashmë kanë lëshuar urdhra për prishjen e 13 shtëpive palestineze në lagjen al-Bustan. /aa