Ushtria izraelite në bastisjet e realizuara në rajone të ndryshme në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor të cilat ndodhen nën pushtimin e ushtarëve izraelitë, kanë arrestuar 19 palestinezë, kurse një ushtar izraelit është plagosur në Kampin e Refugjatëve Kalendija pas shpërthimit të bombës e cila ndodhej në dorën e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se ushtarët izraelitë të cilët kanë realizuar bastisje në Kampin e Refugjatëve Kalendija në veri të Jerusalemit Lindor gjatë përpjekjes për t’i shpërndarë të rinjtë palestinezë kundërshtues, është plagosur një ushtar si pasojë e shpërthimit të një bombe.
Në bastisjen në fjalë janë arrestuar 3 palestinezë, kurse ushtari i plagosur është dërguar në spital për t’u trajtuar.
Në deklaratë po ashtu bëhet e ditur se ushtarët izraelite kanë realizuar bastisje në qytete dhe qarqe të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe se kanë arrestuar 16 palestinezë me pretendim se “janë përfshirë në akte terroriste”.
Forcat izraelite shpesh realizojnë bastisje në shtëpitë të cilat ndodhen në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor dhe i arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.
Sipas raportit të institucioneve përfshirë edhe Shoqatën e të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite ndodhen rreth 7 mijë palestinezë.