Forcat amerikane dhe britanike kryejnë su’lm ajror kundër grupit Hu’thi në Jemen

Forcat amerikane dhe britanike kryen sulme ajrore në provincën Raymah në pjesën perëndimore të Jemenit, transmeton Anadolu.

Kanali televiziv Al-Masirah, i lidhur me grupin Huthi, raportoi se “avionët e forcave agresive amerikano-britanike kryen katër sulme në kompleksin qeveritar në qarkun Al-Gabin të provincës Raymah”.

Transmetuesi nuk dha detaje të mëtejshme rreth viktimave të mundshme nga bombardimet.

Më 13 qershor, grupi Huthi njoftoi se dy sulme ajrore amerikano-britanike kishin shënjestruar kompleksin qeveritar në Raymah, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur nëntë të tjerë.

Grupi Huthi ka shënjestruar anije mallrash në Detin e Kuq në pronësi ose operim të kompanive izraelite, apo anije që transportojnë mallra drejt dhe nga Izraeli, në solidaritet me Gazën, e cila është nën sulm izraelit që nga 7 tetori.

Me rritjen e tensioneve për shkak të kryerjes së sulmeve ajrore të përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër objektivave të Huthive në Jemen, grupi deklaroi se i konsideronte të gjitha anijet amerikane dhe britanike si objektiva legjitime ushtarake.

Një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer sulme ajrore të kohëpaskohshme që nga 12 janari, duke shënjestruar “lokacionet e grupit Huthi” në Jemen në përgjigje të sulmeve të kryera nga grupi në Detin e Kuq.