Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda është shprehur mjaft optimist për fitore në ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë, që luhet më 5 qeshor në Oslo.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, Foda ka thënë se ekipi është tejet i motivuar për ta mposhtur Norvegjinë, ndërsa ka shtuar se për arsye të ndryshme nuk ka qenë e mundur që Kosova gjatë muajit qershor t’I ketë dy ndeshje miqësore.
“Është parapërgatitje e mire ndeshja ndaj Norvegjisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që na presin. Kemi ekip të mirë, ekip të balancuar, jemi maksimalisht të motivuar që të fitojmë ndaj Norvegjisë. Është ndeshja e fundit t’i shohim disa përshtypje nga lojtarët para ndeshjeve të Ligës së Kombeve”, ka thënë ai.
Milot Rashica dhe Florent Muslija janë mungesat e mëdha të Kombëtares së Kosovës për miqësoren kundër Norvegjisë. Për Rashicën, Foda ka thënë se është operuar në krah kurse Muslija është i lënduar sikurse Mirlind Kryeziu e Donat Rudhani.
“Rashica, Rudhani, Kryeziu dhe Muslija mungojnë shkaku i arsyeve shëndetësore, por edhe për shkak të lëndimeve”, tha Foda.
Trajneri Foda ka ftuar 23 futbollistë për këtë grumbullim, ndërsa ka thënë se për shkak se nuk janë lejuar nga klubet e tyre në Suedi e Norvegji, Kosovës në këtë grumbullim nuk kanë mundur t’I bashkohen Ismet Lushaku e Kreshnik Krasniqi.
“Në listë kanë qenë edhe Ismet Lushaku e Kreshnik Krasniqi, por që nuk janë liruar nga klubet pasi atje kampionati po luhet rregullisht”, tha Foda.
Foda ka folur edhe për Donis Avdijajn, të cilin nuk e ka ftuar duke shtuar se sulmuesi ka disa mosmarrëveshje me FFK-në.
Dueli me Norvegjinë është miqësorja e fundit për Kosovën para edicionit të ri të Ligës së Kombeve, i cili nis në muajin shtator. Para Norvegjisë, Kosova ka fituar ndaj Armenisë dhe ka pësuar nga Hungaria, ndeshje këto të luajtura në muajin mars.