FOCIC reagon ndaj shpifjeve nga Sadri Ramabaja

R E A G I M I nderuar z. Sadri Ramabaja!

Postimi juaj në Facebook në lidhje me Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam” në Shkup na ka indinjuar thellë dhe shprehim shqetësimin për shpifjet që bëni në llogari të këtij institucioni dhe anëtarëve të Bordit Këshillues pranë Fondacionit. Ajo që na shqetëson nuk jeni ju vetëm ju si person, por edhe institucioni që përfaqësoni si asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik. Ta cilësoni Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC), ashtu siç shpreheni tekstualisht, “boshtin e rrymës neotomane” jo vetëm që është shpifje e nivelit më të ulët, por edhe paragjykim i bazuar në mosnjohje elementare të historisë në përgjithësi. Akuza shpifëse e juaja ndaj figurave të ndershme dhe të arrira shkencore të Bordit Këshillues të FOCIC-it, siç është akademik Luan Starova – zëvendëskryetar i Akademisë dhe Shkencave të Maqedonisë, akademik Ali Aliu – anëtar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, akademik Ferid Muhiqi – kryetar i Akademisë së Shkencave Boshnjake dhe emra të dëshmuar botërisht në fushën e shkencës dhe akademisë, përfshirë këtu edhe bashkëpunëtorin tuaj politik, të respektuarin profesor Hysamedin Ferajn nga Tirana, flet më shumë për injorancën tuaj dhe fobien tuaj ndaj gjithçkaje që ka atributin “islame”. Të gjithë këta emra të dëshmuar në fushën e shkencës dhe kontributit që kanë sjellë për akademinë t’i kategorizoni si “destruktivë”, kjo është përtej çdo morali fillestar njerëzor. Ju mund të mendoni çfarë të doni në lidhje për partitë politike, meqë ato gëzojnë edhe mbështetje publike, por FOCIC-i nuk është subjekt politik dhe nuk lidhje me asnjë subjekt politik shqiptar brenda dhe jashtë Maqedonie. E nëse juve ju pengon që tre nga themeluesit e një lëvizjeje politike në Maqedoni kanë qenë pjesë e Bordit Këshillues të FOCIC-it, ndërsa një tjetër është deputet i LSDM-së, ky është aluzion që mund ta bëjnë vetëm mendjet konspirative dhe dashakeqe. Sa për informim të opinionit, ata për shkak të impenjimeve politike nuk kanë më asnjë angazhim në kuadër të FOCIC-it. Por, kjo absolutisht nuk e ndërlidh FOCIC-in me ndonjë subjekt politik. Kjo i bie që ju me vetëdije keni shpifur për secilin anëtarë të Bordit Këshillues se, gjoja, FOCIC-i i shërben një subjekti politik që ju e apostrofoni. FOCIC-i është fondacion i themeluar me qëllim të ngritjes së infrastrukturës shkencore dhe funksionon si çdo institucion tjetër shkencor, por me një gamë të gjerë aktivitetesh shkencore, tribuna dhe shkolla në të cilat kanë marrë pjesë ligjërues të dëshmuar nga shkencat sociale, nga universitet më të njohura botërore, të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Turqisë dhe shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tuaj partiakë, siç është i nderuari profesor Feraj dhe hulumtuesi shkencor nga Tirana, Elvis Hoxha. Fondacioni “Qendra e Civilizimit Islam” në Shkup është njëri ndër institucionet më serioze në hapësirat shqiptare dhe ballkanike, i cili angazhohet për ngritjen e instituteve të ndryshme hulumtuese, përfshirë këtu Institutin për Studime Ballkanike, Institutin për Studime Orientale dhe Islame, Institutin për Ndërveprim ndërmjet Qytetërimeve dhe disa departamente për zhvillimin e kulturës, dialogut ndërmjet feve (kaq të nevojshëm për ambientin shqiptar), si dhe departamentin e resurseve njerëzore. Fondacioni “Qendra e Qytetërimit Islam” (FOCIC) angazhohet që përmes instituteve të veta të ndërtojë vizionin e ri të Ballkanit, të cilin deri më tani si luks e kanë pasur vetëm shtetet e fuqishme sllave, duke e projektuar Ballkanin si hapësirë gjeografike sllave përmes projekteve të tyre historike, si Mbretëria SKS dhe Jugosllavia si federatë e popujve të bashkuar sllavë të Ballkanit. Pretendimi i juaj për ta cilësuar fondacionin si “boshtin e rrymës neotomane” nuk është asgjë tjetër, pos një qasje raciste dhe ksenofobe për myslimanët e këtyre trojeve, ashtu siç shpjegohet nga pionierët e këtij neologjizmi në Ballkan, gjegjësisht akademikët serbë si profesori Darko Tanaskoviq, ish këshilltar i presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, profesori Miroljub Jeftiq dhe disa të tjerë. Nuk duam të hapim debat me premisa shkencore, por të qenit i prirë në përdorimin e neologjizmave të fenomeneve të paqena që fabrikohen në Beograd dhe me këto neologjizma, si puna e “neotomanizmit”, ta akuzoni një institucion që përpiqet me shumë sakrifica ta bëjë subjekt dhe aktor shqiptarin në projektimin e ri të Ballkanit, nuk na lë alternativë tjetër, pos të përfundojmë se ju me këso shpifje e akuza me paramendim i shërbeni ose verbërisht i kontribuoni kësaj vije të mendimit serbosllav, që nuk e dëmton askënd më tepër sesa shqiptarin e këtyre trojeve. Shpresojmë që sa më shpejt të reflektoni dhe të tërhiqeni nga akuzat pezhorative – nëse jo për dinjitetin e personalitetit tuaj, të paktën për hir të subjektit në të cilin veproni. Me nderime! Dr. Bajrambunjamin Idrizi