Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se çmimi mesatar vjetor i naftës do të jetë 41.7 dollarë për fuçi në vitin 2020, me një rënie prej 32 për qind nga mesatarja e vitit 2019 dhe 46.7 dollarë për fuçi në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në parashikimet e saj më të fundit të Ekonomisë Botërore të publikuara të martën, FMN kujtoi se çmimet e naftës ranë me 60 për qind në periudhën shkurt-prill 2020 si pasojë e pandemisë, e cila çoi në një kolaps të kërkesës globale të naftës.
FMN nënvizoi shqetësimet mbi kapacitetin e deponimit që nxorri në pah pasigurinë e ngritur në tregun e naftës, pasi COVID-19 nuk është ende nën kontroll.
“Rreziqet, megjithatë, në masë të madhe janë të ekuilibruara”, theksoi FMN duke marrë parasysh rreziqet e ngritjes dhe rënies.
Përshkallëzimi i ngjarjeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe frenimi më i shpejtë i pandemisë si dhe shkurtimet e tepërta të investimeve në rrjedhën e sipërme të naftës dhe gazit si dhe falimentimet e mëtejshme në sektorin e energjisë janë midis rreziqeve kryesore.
Rreziku më i madh në rënie, sipas saj, është një ngadalësim i ri në aktivitetin ekonomik global, pasi inventarët e mëdhenj mbeten një shqetësim. Rreziqe tjera në rënie për çmimet e naftës përfshijnë rritjen më të fortë të prodhimit të naftës në disa vende jo anëtare të OPEC plus, normalizimi më i shpejtë i prodhimit të naftës në Libi dhe prishja e marrëveshjes së OPEC plus.