Barcelona e ka nisur edicionin në La Liga me shtatë fitore rresht, por trajneri Hansi Flick vlerëson se ka ende hapësirë për përmirësim në skuadër. Të mërkurën Barça fitoi 1:0 ndaj Getafes.
Barcelona shënoi herët golin përmes Robert Lewandowskit dhe dominoi në fushë deri në fund. Topin e kishte në 80 për qind të kohës, ndërsa i krijoi 16 raste për gol.
Lojtarët e Barçës lëshuan raste të shumta për fitore më të thellë, ndërkohë që mysafirët për pak sa nuk shënuan golin e barazimit në momentet vendimtare të ndeshjes, përmes një kundërsulmi.
Barcelona tani i ka 21 pikë në vendin e parë të tabelës së kampionatit spanjoll. Rivali më i madh, Real Madridi, ka katër pikë më pak.
“Të fitojmë shtatë ndeshje rresht është e përkryer. Por disa gjëra megjithatë duhet t’i bëjmë më mirë”, ka thënë trajneri gjerman, që po vlerësohet lart për punën që po e bën.
“Kishim mentalitetin e duhur. Për mua është një pozitë fillestare e mirë për përmirësim të mëtejmë”, ka shtuar Flick.
59-vjeçari Flick ka drejtuar Hoffenheimin e Bayernin para se të bëhej selektor i Gjermanisë. Prej vitit të kaluar ishte pa angazhim në futboll, ndërsa tani po e kthen Barcelonën në rrugën e sukseseve. Por sfidat kryesore ende nuk kanë ardhur.
“Më kanë thënë se gjithnjë është kështu ndaj Getafes. Është skuadër shumë e mirë në mbrojtje, por unë jam shumë krenar me lojtarët dhe me atë se si luftuan për 95 minuta”, ka thënë Flick.
Flick ka lavdëruar portierin Inaki Pena dhe ka refuzuar të flasë për polakun Wojciech Szczesny. 34-vjeçari pritet të kthehet nga pensionimi dhe të firmosë për gjigantin katalonjas. Portieri i parë i Barçës, gjermani Marc-Andre ter Stegen, i është nënshtruar të hënën një ndërhyrjeje në gju dhe pritet të mungojë deri në fund të edicionit. Barcelona po e kërkon një portier me përvojë dhe Szczesny është opsioni i parë.
“Unë flas vetëm për lojtarët që i kemi në ekip. Inaki Pena është portieri ynë numër një dhe unë jam i lumtur. Kjo është ajo që vlen”, ka thënë Flick. “Ne e kemi Inaki Penan që është 25-vjeçar. Por portierët e tjerë janë shumë të rinj. Kështu që nëse ndodh diçka duhet të kemi përvojë”.
Barça nuk e nisi njëjtë kampanjën edhe në Ligën e Kampionëve. Në kuadër të xhiros së parë të fazës së ligës humbi 2:1 nga Monaco. Më 1 tetor e pret Young Boysin zviceran.