Fjalimi i dhimbshëm i Kumnovës në Kuvend, akuzon Selmanajn se injoroi të pagjeturit

Nesrete Kumnova, e cila tash e më shumë se dy dekada nuk din asgjë për fatin e birit të saj të vetëm, po bën thirrje që të votohet sa më shpejt Ligji për të Pagjeturit.

Ajo derisa shprehet kritike për institucionet vendore, thotë se familjarët e të pagjeturve gjatë këtyre viteve, po jetojnë me ankth e shpresë. Duke i bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që në bisedime me Serbinë të ketë edhe dy nëna me vete.

Pak para se të fillojë fjalimin e saj para deputetëve të Kosovës, Nesrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, tha se nga dhimbja asaj i janë dobësuar edhe sytë.

“Kërkoj falje, dhimbja na ka dobësuar edhe sytë, na ka qorruar e s’po shohim”, tha ajo.

Kumnova në seancën e veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimi i këtij krimi, shtoi se tash e më shumë se 20 vjet, po kërkojnë drejtësi për krimet serbe ndaj shqiptarëve. Ajo kërkoi që të ndalet turri i Serbisë për fshehjen e gjurmëve të krimit që ka bërë në Kosovë.

“Më në fund arrita të dal para jush dhe t’iu bëjë thirrje që të veproni sa më parë, ndryshe dekadat po mundohen të fshijnë gjurmët e krimit. Bashkë me shtetin vrastar serb I cili po vazhdon me politikat milloveqiane. Ndaljani turrin Serbisë, që të mos ndjehet e fituar në raport me gjithë historinë e saj vrastare, ndër shekuj e së fundmi në luftën ’98 e ’99, meqë rast solli 13 mijë viktima. Ku vrau e masakroi gra, pleq e fëmijë, përdhunoi gra e burra të Kosovës. Dogji krejt çfarë i erdhi në dorë, duke përndjekur mbi 1 milion shqiptarë në trojet etnike”, ka shtuar Kumnova.

Nëna e Albionit, për të cilin ende nuk dihet se ku gjendet trupi i tij, tha se ky regjim serb rrëmbeu nga shtëpitë e tyre shumë shqiptarë, ndërkohë që shtoi se zhduki edhe shumë njerëz duke i bartur trupat e tyre në Serbi për ta fshehur krimin.

“Padrejtësisht mbahen në varreza masive në Serbi. Ne familjarët e pikëlluar, ne nëna të pikëlluara me humbjen e bijve dhe bijave, familjarëve tonë u bashkuam si një trup me një zë dhe nuk ndaluam asnjëherë së vepruari për zbardhjen e personave të pagjetur. Rrallë ndonjëherë e mos të them fare nuk gjetëm përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare, të cilat do të duhej vet të ndërmerrnin iniciativa për zbardhjen e krimit, kthimin e trupave dhe varrimin e më të dashurve tanë në atdhe. Edhe fëmijët tanë ishin shqiptarë, ishin shtetas të Kosovës, të lindur e të rritur në trojet tona, të etshëm për liri e për atdhe, por ja që Serbia i këputi si lulet dhe ua vyshku jetërat, duke I futur thellë nëpër varreza masive”, shtoi ajo.

Ajo me lot në sy shtoi se që dy dekada familjarët po jetojnë në ankth e pritje.

“Sot do të duhej të ishin fëmijët tanë këtu, jo prindërit. Ne do të duhej më herët të bëheshim grusht, që të mos i lëm kohës të merr me vete fatin e të pagjeturve dhe t’i lejojë Serbisë që të luaj me trupat e tyre, pa asnjë pengesë. Fundja një gjë dihet se ne ishim në shtëpitë tona dhe Serbia ishte agresori, që na okupoi, vrau e masakroi pa mëshirë para syve të botës. E tani pse të mbesin varret e zbrazura kur shpirtat e më të dashurve presin të presin në atdhe. Pyetni nënat, baballarët të cilat mbi dy dekada jetojmë në ankth, pritje, ethe, pikëllim dhe shpresë. Në mos po buron ndonjë lajm për vendndodhjen e trupave të më të dashurve tanë”, ka deklaruar ajo.

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, deklaroi se Kosova duhet të ndërmarrë sa më shpejt iniciativë për padi ndaj shtetit serb, ndryshe sipas saj nuk do t’iu paguhet borxhi të rënëve për liri.

Ndërkohë para deputetëve tha se që dy dekada po presin fjalën e tyre për të denoncuar krimin serb.

“Në vend se të akuzojmë njëri-tjetrin, ne duhet t’i kthehemi realitetit, sepse posti i deputetit është detyrë fisnike, e jo profitabile. Prandaj, ju duhet të shikoni në pasqyrën e popullit të përvuajtur dhe të veproni në bazë të misionit që keni. A e dini sa prindër të pikëlluar dhe të përvuajtur kanë vdekur, në pritje për një lajm për më të dashurit e tyre. Sa nëna i kanë rritur fëmijët e tyre në mungesë të prindit, dhe në varfëri të skajshme. Dhe vazhdojnë të vdesin e të vuajnë në pritje. A është ky shteti për të cilin dhanë jetën më të dashurit tanë? A është detyrë e juaja të përkujdeseni edhe për ne, e jo të rrëmbeni kafshatën e gojës dhe atë pak ndihmë shtetërore që na i keni dhënë në emër të fëmijëve tanë të rrëmbyer e të vrarë e të masakruar, e të pagjetur. Qeveria e zotëri Isa Mustafës, respektivisht ministri Arban Abrashi para disa vitesh na ka vën në pozitë tepër të vështirë, duke na detyruar që të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe të ndihmës shtetërore, cila na jepej në emër të bijve dhe bijave tona. A ka mëkat më të madh se sat ë bëhet ky kushtëzim, kur dihet se një numër i vogël i familjarëve i gëzon këto ndihma”, ka shtuar ajo.

Ajo kritikoi ashpër ish-ministrat e qeverisë Mustafa, por edhe ata aktual, për çka tha se çështja e të pagjeturve po injorohet, duke u cilësuar si e konsumuar.

“Është ky zotëri Driton Selmanaj, i cili kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar. Në të njëjtën kohë, pandemie jeton edhe është ministri Reçica i cili në Kuvendin e Kosovës ka theksuar se mjetet janë të gatshme, por duhet të votohet ligji në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, Qeveria e Kosovës konkretisht kryeministri Avdullah Hoti dhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj e kundërshtuan këtë ligj, duke mos e aprovuar. Sinqerisht kjo nuk u bën nder as juve, as qeverisë, as popullit që dha kaq shumë për liri”, ka deklaruar ajo para deputetëve.

Kumnova tha se ajo e shumë nëna tjera nuk duanë të mbyllin sytë pa ua kthyer më të dashurit e tyre nga varrezat e Serbisë. Nga të zgjedhurit e popullit ka kërkuar që të votohet me procedurë të përshpejtuar Ligji për të Pagjeturit.

“Unë nga ky parlament sot kërkojë që të votoni me procedurë të përshpejtuar Ligjin për të Pagjeturit, me të cilin do të mbroni e nderoni familjet e të dëmtuarve. Të cilat i keni shndërruar në raste sociale. Sigurisht se po të ishin gjallë edhe bijtë dhe bijat tona do të ishin ndoshta sot deputetë ku jeni ulur ju, apo qeveritarë, profesorë apo inxhinierë. Por, ja që ata ranë e ju që po i gëzoni të mirat e lirisë e keni detyrë të veproni e kontribuoni për ne, që ta ndjejmë edhe ne dorën e shtetit të pavarur”, theksoi ajo.

Kumnova ka shtuar se dëshmitë e faktuara i ka dërguar në Policinë e Kosovës, të gjitha në një libër të titulluar “E vërteta për krimet serbe”, të cilat janë mbledhur nga familjarët.

Këto dëshmi tha se vërtetojnë se Serbia ishte pushtuese, dhe se këto duhet të dërgojnë kriminelët serbë para gjyqit.

Një porosi pati edhe për kryeministrin Avdullah Hoti.

“Sa i përket bisedimeve me Serbinë në Bruksel, patjetër që është kërkesë e jona që të bëhen pjesë e këtij delegacioni edhe dy nëna, kryeministër. Sepse jemi të gatshme të ballafaqohemi me Serbinë, me dëshmi dhe fakte të cilat i kemi grumbulluar nga dëshmitarët dhe familjarët”, ka deklaruar ajo.

Kumnova tha se është e prekur shumë që Serbia nuk e morri dënimin, dhe vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga deputetët kërkoi me ngulm që të kryejnë detyrat e tyre