“O robërit e mi! Ju gaboni ditë e natë, e Unë ua fal mëkatet dhe nuk ua zë për të madhe, prandaj, më kërkoni falje dhe Unë do ua fal.
Pasha madhështinë dhe lavdinë Time! Nëse robi im vjen tek Unë natën, e pranoj. Po edhe ditën nëse vjen, e pranoj gjithsesi. Nëse më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem një krah, e nëse më afrohet një krah Unë i afrohem një pash. Po më erdhi duke ecur, Unë i shkoj duke nxituar. Kur të më kërkojë falje, Unë ia fali, po më kërkoi edhe një mundësi, Unë ia jap, po u pendua ia pranoj pendimin.
Ai që kthehet nga Unë, e marr dhe e afroj nga larg, e kush ma kthen shpinën, e thërras nga afër: Robi im, a mos ke Zot tjetër pos meje?!
Atij që lë diçka për hir timin, i jap më shumë se sa meriton, e atij që punon mbështetur në mua edhe hekurin të butë ia bëj, ndërsa për atë që pranon të dojë atë që Unë dëshiroj, Unë pranoj të dua atë që ai e do.
Ata që më kujtojnë mua janë të dashurit e mi. Ata që ma dinë shyqyrin meritojnë më tepër. E sa për ata që më bëjnë gjynahe…Atyre nuk ua këpus shpresat nga mëshira ime. Nëse pendohen dhe kthehen unë bëhem i dashuri i tyre, e nëse nuk pendohen, atëherë unë bëhem mjeku i tyre: i sprovoj me vështirësi që t’i pastroj nga mëkatet e kusuret.
Të mirën e vlerësoj me dhjetë të tilla, po edhe e shtoj. Sa për të keqen, e vlerësoj një të vetme po bile edhe e fali sepse Unë jam më i mëshirshëm për robin tim, sesa nëna për foshnjën e saj.
Robi im, nëse më vjen me gjynahe të shumta sa toka e qielli, t’i fali dhe nuk ta zë për të madhe.”
Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. 39:53
#shpërndaje dhe jepu myzhde të gjithë besimtarëve!
Burimi: Nga perlat e Dr. Ratib Nabulsit
Përshtati në shqip: Hoxhë Evzal Sinani