Ballina Autorë Opinione Fjala, beteja për të ruajtur Njeriun!

Fjala, beteja për të ruajtur Njeriun!

Agim Baçi

Makthi i mbijetesës i shoqërisë së sotme ka sjellë përpara nesh një letërsi që thuajse hapur ka shmangur “të shenjtën”, duke shenjtëruar vetëm botën e sotme të ankthit, që në thelbin e vet nuk mediton, por vetëm mbijeton. E dallon gjithkush lehtësisht se nuk ka dashuri, ka vetëm seks, nuk ka poezi, nuk ka udhëtim drejt të padukshmes, por vetëm debat mbi atë që duket dhe që përgjithësisht sjell një zvenitje, një shkurajim.

Agim BAÇI, Tiranë

Letërsia, siç thotë një nga mendjet më tërheqëse të fjalës së shkruar në botë, Jorge Luis Borges, është kujtesë dhe imagjinatë, pra letërsia na jep mundësinë ta shohim të shkuarën, edhe të arrijmë të imagjinojmë atë që mundet ta kemi në të ardhmen. A nuk janë të gjithë mes kujtimeve dhe dëshirave? Ndaj, kushdo që ka enigma se përse duhet të harxhojë kohë për të lexuar, duhet të jetë i bindur se leximi është koha që nuk na ikën më kurrë nga vetja, sepse na lidh me botën në atë mënyrë të paharrueshme, sa nuk na lë kurrë vetëm.

Nëse e përkthejmë në një gjuhë më të drejtpërdrejtë fuqinë e fjalës, mund të themi se letërsia na ndihmon të kuptojmë së pari veten. A mund të bëjmë gjëra që do të jenë në dobinë tonë, nëse ne nuk e njohim? Letërsia na jep mundësinë të udhëtojmë në kohë, të takojmë njerëz që nuk do t’i takonim kurrë në përditshmërinë tonë, të njihemi me ngjarje që kanë kohë që kanë kaluar ose edhe me përshkrime distopike, që më vonë janë aplikuar në shoqëri. Kështu që ti mund të kesh vërtet ekonomi – dhe unë nuk jam kundër të pasurit ekonomi – por nëse vë vetëm ekonomi, mund të mos e vlerësosh dot atë që ke, sepse ajo që sheh ti është vetëm afër hundës tënde.

Unë nuk dua ta mbivlerësoj letërsinë, duke besuar se ajo është i vetmi akt njohës, por këmbëngul të them se letërsia ka qenë gjithmonë një negociator i mirë, më së pari mes nesh dhe vetes sonë. Letërsia na bën që as të mos e humbim toruan në humbje e as të mos e mbivlerësojmë veten në fitore, duke e parë veten të lidhur me botën e duke marrë prej saj zgjidhje pa fund për atë çka na duhet vërtet ne.

Në këtë rrafsh, letërsia në përgjithësi, por letërsia e sotme në veçanti, ka nevojë të shihet në dy shina, nëse ne vërtet duam të debatojmë lidhur me marrëdhëniet e krisur mes lexuesit dhe librit ose, edhe më tej, me fuqinë e zbehur ose edhe të rrënuar të letërsisë, përballë të folurës së trajtave të tjera jo letrare ose jo në qëllim letrar. Ajo që e ka mbajtur gjallë letërsinë në të gjitha kohërat, që e ka bërë të lexueshme e të rilexueshme, të debatueshme dhe jo pak herë pararendëse e asaj që ka ndodhur më vonë, ka qenë ecja e saj mbi dy shina: mbi “të Përhershmen” dhe “të Përjetshmen”. Këto dy shina e ftojnë Njeriun të hipë në trenin e ndjesive të tij për të kuptuar veten dhe botën.

Por, a i përdor letërsia shqipe këto dy shina sot? A kemi ne vepra që kanë mundur ta lënë veten në këtë “tren ndjesish” dhe të vijojmë të udhëtojmë me to, të kemi pjesë të përditshmërisë atë që ata kanë përshkruar brenda njerëzores?

Komunikimi dhe letërsia sot

Brezat e sotëm, të gjendur përballë shkalafitjes totale të mendimit dhe të kuptimeve të fjalëve, dhe të bombarduar me gjuhën e spektaklit dhe seksualizimit të thellë të shoqërisë, fatkeqësisht, janë gjithnjë e më shumë të larguar nga kujtesa dhe, njëkohësisht, edhe të keqdrejtuar nga imagjinata për atë që njeriu ka ruajtur për të mbijetuar si i tillë, duke besuar fort se e vërteta dhe e mira vlejnë edhe kur për të duhet të ecësh gjatë, të luftosh fort dhe të vësh në vështirësi atë që është edhe më e përzemërt.

Por, kjo çoroditje e brezit të sotëm përballë imagjinatës dhe kujtesës e ka zvogëluar debatin mbi atë çfarë është e rëndësishme, duke vënë në vështirësi jo thjesht shkrimtarët, por atë që letërsia ka bartur për të mbajtur frymën e njeriut në çdo kohë.

Ky makth mbijetese i shoqërisë së sotme ka sjellë përpara nesh një letërsi që thuajse hapur ka shmangur “të shenjtën”, duke shenjtëruar vetëm botën e sotme të ankthit, që në thelbin e vet nuk mediton, por vetëm mbijeton. E dallon gjithkush lehtësisht se nuk ka dashuri, ka vetëm seks, nuk ka poezi, nuk ka udhëtim drejt të padukshmes, por vetëm debat mbi atë që duket dhe që përgjithësisht sjell një zvenitje, një shkurajim.

Por, e vetmja që mund ta rindezë Njeriun sërish drejt udhës për të mos qenë viktimë e mbijetesës dhe ankthit është e shenjta. Ndaj çdo përpjekje e shkrimtarit për ta shmangur ose harruar të shenjtën nuk është veçse një rrugëtim i harresës – një harresë së pari ndaj vetvetes e pastaj ndaj tjetrit.

Koha e sotme po shpartallon përemrin “Ti”, pasi përmes përpjekjes për çlirim nga e shenjta tjetri nuk vlen, por është vetëm “ai” që shkon drejt errësirës, për t’u zhdukur. Dhe, pa kuptuar, harresa dhe bjerrja e pranisë së “Tjetrit” si bashkëbisedues ka futur në hulli paqartësish atë se çfarë na duhet të kujtojmë dhe se çfarë duhet të ndërtojmë hap pas hapi.

E shkuara dhe letërsia

Letërsia shqipe në vitet e fundit, me disa autorë, ka tentuar ta ndërtojë grafikën e njeriut të përçudnuar nga përbindëshi i asaj kohe, që përgatiti rezervatin me “Njeriun e ri”, i cili më pas ishte njeriu që ndërmerrte praktikimin e modeleve që shpikte diktatura – një model që bazohej te njeriu që kishte humbur moralin, që kishte humbur dinjitetin. “Njeriu i partisë” duhej të shkundej më parë nga çdo vlerë. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Ç’mund të prisnim nga njeriu që partia e gradonte “i ditur” pikërisht për të qenë veçse veshi dhe syri i partisë, duke synuar vetëm të frikësojë, spiunojë e të mbjellë frikën.

Ndërkaq, edhe letërsia shqipe në Kosovë ka qenë e lidhur ngushtësisht me traumat e një lufte që solli viktima, dhimbje dhe një dhunë të gjithanshme. Në Maqedoninë e Veriut “lufta letrare” ka qenë me mbijetesën e së përbashkëtës, e luftës së vlerave, të cilat pa fjalën e shkruar do të mbeteshin jetime të kohës.

Nuk mund t‘u shpëtojmë këtyre historive, pasi të mohojmë atë që ka ndodhur apo atë që po ndodh është si të mohonim vetveten. Madje, nuk duhet t’i shmangemi aspak përgjegjësisë, pasi asnjë letërsi, asnjë lloj arti, nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë për të qenë edhe dëshmitare e kohës së vet, por njëkohësisht do të ishte e pamoralshme që të bënim sikur e kemi harruar atë të shkuar, kur në fakt çdo hije e asaj periudhe vijon të bashkëjetojë me ne, edhe kur nuk duam ta pranojmë.

Ajo që vlen sot të debatojmë është fakti nëse në Kosovë apo Shqipëri po arrihet apo jo që ajo e shkuar mos të mbetet vetëm dokumentare, vetëm gazetareske. Debati i letrares, edhe pse në thelb ka një kohë të pakohë, është të mos i shmanget ndërtimit të imazhit të duhur të asaj të shkuare, jo për traumë, jo duke ftuar njerëzit në dhimbje, por për dinjitetin e kujtdo që dëshiron të kuptojë se çfarë ka ndodhur.

Letërsia, si rojtarja më e mirë e Njeriut, duhet që të tilla debate t’i rrokë, pasi ajo duhet të sjellë përpara nesh atë që kërkon njeriu të dijë pas një diktature, pas një lufte, pas një dhune, që e trondit njeriun në gjithçka që është e rëndësishme për të ose që ka mësuar si të rëndësishme për vijim e së nesërmes. Nëse ne nuk do arrijmë të mbajmë qëndrim kulturor ndaj së shkuarës, gabimet e gjyshërve, baballarëve, mund të bëhen lehtësisht edhe tonat.

Përse letërsia?

Letërsia e ka këtë “detyrim” për ta treguar gjithnjë njeriun, siç ka qenë e si mundet, sepse është rojtarja e fytyrës dhe zemrës njerëzore. Jo më kot, pas librave të shenjtë, ajo që i ka mbijetuar më shumë se gjithçka kohërave është Letërsia. Gjithçka tjetër ka qenë e përkohshme, e mënjanuar. Vetëm letërsia, e mbështjellë më fuqinë që ka njohja e vetvetes, përmes ëndërrimit dhe kujtesës sonë, mund të risjellë debate që e mundin lidhjen e fortë të shoqërisë së sotme me tanishmërinë, vetëm me atë që shihet, pa mundur dot të mbyllin sytë dhe të besojnë se ëndrrën e ka besuar njeriu që kur ka nisur të jetë amanet në tokë. /revistashenja

Exit mobile version