Autorja koreano-jugore Han Kang, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2024, refuzoi të mbajë një konferencë festive për media, duke cekur tragjeditë globale të luftave Ukrainë-Rusi dhe Izrael-Palestinë, transmeton Anadolu.
Babai i autores Han Kang, 85-vjeçari Han Seung-won, i cili gjithashtu është një romancier i njohur, përcolli mesazhin e bijës së tij gjatë një konference për media në Shkollën Letrare Han Seung-won në provincën Jeolla Jugore, njoftoi Korea Times.
“E bija më tha: ‘Me luftën që po intensifikohet dhe njerëzit që po vriten çdo ditë, si mund të kemi një festë apo një konferencë për media?’ Ajo tha se nuk do të mbajë një konferencë për media”, tha Han Seung-won.
“Perspektiva e saj është zhvendosur nga të qenit një shkrimtare që jeton në Kore në një shkrimtare me ndërgjegje globale. Megjithatë, unë nuk mund ta isha indiferent ndaj ndjenjës së të qenit babai i një fituese të çmimit që jeton në Kore, kështu që organizova këtë konferencë për media”, shtoi ai.
Autorja Han gjithashtu e dekurajoi babanë e saj që të mos organizonte një festë në shkollën letrare.
“Unë po planifikoja të organizoja një festë këtu për njerëzit vendas, por vajza ime më tha të mos e bëja. Ajo tha, ‘Të lutem mos festoni duke qenë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve tragjike’,” tha ai, duke iu referuar dy luftërave.
Autorja Han u njoh për “prozën e saj intensive poetike që përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”, njoftoi të enjten Komiteti Nobel për Letërsinë.
Autorja ka lindur në vitin 1970 në Korenë e Jugut, ku edhe banon.
Ajo filloi karrierën e saj në vitin 1993 dhe përparimi i saj i madh ndërkombëtar erdhi me romanin “Vegjetariane”, botuar për herë të parë në 2007.