Fiset libiane në Egjipt të cilët Sisi synon t’i armatosë dhe armiqësia historike mes tyre

Gjersa deklarata e presidentit egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi që Sirte dhe Jufra janë vija e kuqe për ta dhe aludimi i tij se do të armatosë fiset libiane në vendin e tij përbëjnë një skenar të ri të mundshëm në ekuacionin në Libi, armiqësitë historike midis këtyre fiseve tregojnë se një plan i tillë nuk duket se mund të realizohet nga Sisi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Më 20 qershor, Sisi aludoi në armatosjen e fiseve libiane në Egjipt, duke thënë se “Kur këto forca të përparojnë, ju, krerët dhe të parët e fiseve do të shkoni para tyre”.

Pasi Khalifa Haftar, i cili mbështetet hapur nga administrata Sisi, ka pësuar disfata të njëpasnjëshme në Libi kundër ushtrisë libiane, në rend të ditës është shfaqur mundësia e armatimit të disa të rinjve që i përkisnin fiseve me origjinë libiane në Egjipt dhe dërgimi i tyre në Libi.

Siç është raportuar, këtyre të rinjve u është premtuar tokë dhe mundësi punësimi. Rreth dy muaj më parë, në rrjetet sociale u shfaqën disa pamje rreth punimeve në këtë drejtim.

Deklarata e Haftarit për “migrimin e 10 milionë vetave nga Egjipti”

Prej kohësh janë duke u bërë plane për të vendosjen e fiseve beduin me origjinë libiane të Egjiptit veriperëndimor në Libi dhe për të rritur dendësinë e popullsisë në lindje të vendit.

Haftar, udhëheqësi i forcave të paligjshme të armatosura në lindje të Libisë, në maj të vitit 2019 tha: “Sipërfaqja e Libisë është 1 milion e 760 mijë kilometra katrorë. Çfarë do të bëjmë me këtë hapësirë? Çfarë ndodhë nëse vijnë 10 milionë njerëz të tjerë?”

Por çështja nuk është aq e thjeshtë. Midis fiseve në Egjipt dhe Libi ka një armiqësi historike që përfshin luftëra disadekadëshe, migrim të detyruar dhe dëbim.

Fiset me origjinë libiane në Egjipt

Në Egjipt gjenden fise të shumta me origjinë libiane. Më i madhi prej tyre njihet si fisi Evlad Ali. Popullsia e këtij fisi tejkalon shifrën 1 milion.

Fisi Evlad Ali ndahet në dy pjesë, Ahmar dhe Abjad. Ndërkaq, këta janë ndarë në 12 fise, edhe atë Kanajishe, Hazaim, Zenera, Henalike, Kavasim, Avami, Senaxhira, Madi, Akshibat, Sheraset, Havitije dhe Hanish.

Fisi Evlad Ali emigroi nga Libia në Egjipt 130 vjet më parë. Lufta që nisi në vitin 1860 midis fisit Evlad Ali që jetonte në rajonin Brega të Libisë dhe fisit Abidat në të njëjtin rajon zgjati për 30 vjet.

Fisi Evlad Ali, humbës në këtë luftë, u detyrua të emigronte në Egjipt në vitin 1890. Ky emigrim i detyruar u quajt “Texhridet Habib”.

Shumica e anëtarëve të fisit Evlad Ali u vendosën në qytetin Masra Matruh, që ndodhet në bregdetin e Mesdheut në Egjipt, midis Aleksandrisë dhe rrethit Sellum në kufirin me Libinë.

Në periudhat në vijim, disa familje migruan në rajonet Amirije dhe Marjut të Aleksandrisë, ndërsa disa familje preferuan qytetin e Demanhur.

Fisi “Xhevazi”, i dëbuar nga Libia nga Karamanli Jusuf Pasha

Në mesin e fiseve të tjera libiane në Egjipt janë edhe Beraisa, Fevajid, Henadi, Furxhan, Behxhe, Xhemiat, Katan, Xhebalije, Rimah, Habun, Evlad Sheikh, Xhelalat, Mexhabira dhe Xhevazi.

Midis këtyre fiseve, spikat fisi Xhevazi. Jusuf Pasha (1795-1832), emri më i njohur i dinastisë Karamanli, i cili sundoi Tripolin nga viti 1711 deri më 1835, syrgjynosi fisin Xhevazi.

Karamanli Jusuf Pasha, i njohur gjithashtu si pashai që luftoi kundër SHBA-së me vilajetet e Algjerisë dhe Tunizisë, thirri krerët e fisit Xhevazi në Bengazi dhe i dënoi me vdekje, ndërse fisin e dëboi në Egjipt.

Anëtarët e fisit Xhevazi preferuan të zhvendosen në rajonet e brendshme për të qenë më të sigurtë, përkundër ofertës së fiseve në rajonet afër kufirit të Libisë. Sipas burimeve egjiptiane, anëtarët e fisit Xhevazi jetojnë kryesisht në qytetet si Zekazik dhe Tanta.

Problemi i administratës egjiptiane

Ka shumë fise të mëdha dhe të vogla me origjinë libiane në Egjipt. Ekzistojnë lidhje farefisnore midis këtyre fiseve dhe fiseve në Libi të krijuara përmes martesave të ndërsjella. Ata gjithashtu kanë lidhje shumë të ngushta me beduinët në Gadishullin e Sinait.

Problemet e sigurisë në Gadishullin e Sinait dhe prishja nga ana e qeverisë egjiptiane e shtëpive të bedueniëve pranë kufirit me Gazën dhe Izraelin për hir të sigurisë së Izraelit disa vjet më parë, shkaktuan reagime serioze.

Kjo praktikë, e cila është zbatuar përkundër kundërshtimit publik, ka ndikuar negativisht edhe te fiset me origjinë libiane në këto rajone.

Fisi më i madh libian në Egjipt, armik i fisit të Aguila Saleh

Ekziston një armiqësi të paharrueshme historike midis Evlad Ali, fisit më të madh libian në Egjipt, dhe fisit Abidat në Libi.

130 vjet më parë, fisi Abidat dëboi fisin Evlad Ali Libia dhe zaptoi tokën dhe pronën e tyre. Bashkëjetesa e këtyre dy fiseve konsiderohet të jetë një mundësi e dobët për shkak të ngjarjeve historike.

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe qeveria egjiptiane po planifikojnë të sjellin Aguila Saleh, kreun e Dhomës së Përfaqësuesve në Tobruk e cila është pro-Haftarit, në vend të Haftarit. Megjithatë, Saleh i përket fisit Abidat që dëboi fisin Evlad Ali.

Mbështetja e Evlad Ali për Haftarin do të thoshte se ata do të ndihmonin fisin Abidat që dëboi paraardhësit e tyre nga trojet e tyre. Për këtë arsye, vlerësohet se fisi Evlad Ali, që janë të stacionuar në rajone afër kufirit me Libinë, nuk do të dërgojnë shërbyes në Libi.

Ndërkaq, pjesëtarët e fisit Xhevazi, të cilin Karamanli Jusuf Pasha e dëboi nga Libia në Egjipt, nuk e shohin veten si beduinë, pasi ata janë adaptuar në shoqërinë egjiptiane. Ata kryesisht e llogarisin veten si egjiptianë.

Për fiset egjiptiane, të qenit palë në luftën në Libi, dhe veçanërisht duke mbështetur forcat në lindje, nuk konsiderohet të jetë një skenar shumë i realizueshëm, pasi do të perceptohet si “ndihmë për fiset që dëbuan paraardhësit e tyre”.