Firma turke Baykar do të blejë kompaninë italiane të aviacionit Piaggio Aerospace

Firma turke Baykar do të jetë pronari i ri i gjigantit italian të aviacionit Piaggio Aerospace, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Baykar, ministria italian e Bizneseve dhe “Made in Italy” ka miratuar shitjen e kompanisë gjigande të vendit në aviacion Piaggio Aerospace tek Baykar.

Baykar, kompania më e madhe në botë e mjeteve ajrore të armatosura pa pilot (UAV), ishte kompania që paraqiti ofertën më të mirë në tenderin e mbajtur për blerjen e Piaggio Aerospace, kompania e njohur e aviacionit italian e themeluar në vitin 1884.

Baykar fitoi tenderin duke lënë pas konkurrentët e tij që dhanë ofertat e tyre nga vende të ndryshme. Gjatë procesit të tenderit, Baykar kreu studimet e vlerësimit financiar me “Pragma Consultancy”.

Piaggio Aerospace, i njohur për prodhimin e avionëve të biznesit P.180 Avanti, i njohur si “Ferrari i qiellit” në industrinë e aviacionit, si dhe motorëve të avionëve, gjithashtu ka një rol strategjik në ekosistemin e industrisë së mbrojtjes të Italisë me shërbimet e tij të mirëmbajtjes, riparimit dhe inspektimit (MRO).

“Pas gjashtë vitesh pritjeje, ne i ofrojmë një të ardhme Piaggio Aerospace. Kjo kompani, e cila është një aset strategjik për vendin tonë, po rivitalizohet me një perspektivë afatgjatë prodhimi, ndërsa strukturat e korporatave dhe fuqia punëtore po mbrohen”, tha ministri italian i Bizneseve dhe “Made in Italy”, Adolfo Urso, duke shtuar se rifillimi i shërbimeve të kompanisë sigurohet nga një vizion i qartë dhe ambicioz industrial.

– Do të përforcohet kapaciteti i prodhues

Me këtë blerje, Baykar do të rrisë ndikimin e tij në tregun evropian të aviacionit, duke ruajtur trashëgiminë historike të Piaggio dhe duke forcuar kapacitetin e tij prodhues.

Së bashku me vizionin e së ardhmes të kompanisë Baykar, synohet edhe rritja e punësimit të ofruar nga kompania në Itali. Ndërsa ky hap strategjik i Baykar i shton një sukses të ri sukseseve globale të industrisë turke të aviacionit, gjithashtu me këtë marrëveshje identiteti historik i Piaggio do të bartet edhe në të ardhmen.

Duke eksportuar 1,8 miliard dollarë në vitin 2023, Baykar u rendit në mesin e 10 kompanive kryesore me eksportet më të mëdha në të gjithë sektorët në Türkiye.

Sipas raportit të institutit kërkimor CNAS (Qendra e Re Amerikane e Sigurisë) me bazë në SHBA, Türkiye dominon 65 për qind të tregut botëror të eksportit të UAV-ve.

Baykar, i cili është tre herë më i madh se rivali i tij më i afërt në SHBA, në mënyrë të vetme posedon afërsisht 60 për qind të këtij tregu. Duke fituar më shumë se 90 për qind të të ardhurave të saj nga eksportet në vitet e fundit, Baykar eksporton Bayraktar TB2 SIHA dhe Bayraktar AKINCI TIHA në 35 vende në total.