Qëkur zuri vend në renditjen e 10 më të mirëve në botë një dekadë më parë, Finlanda është përshëndetur pafund për sistemin arsimor dhe sot, asnjë konferencë ndërkombëtare edukimi nuk konsiderohet e plotë pa referimin e saj.
Shtypi i huaj madje i ka vënë dhe një emër: e quan “fëmija i reklamës” për reformat e jashtëzakonshme në arsim, ndërsa për të mësuar prej shembullit të saj frymëzues, delegacione nga përtej detit e kanë kthyer gati në vend pelegrinazhi. Më së shumti, Finlanda përdoret sot si shembulli ilustrues i faktit se rezultatet e larta mund të arrihen edhe pa një sistem stërmundues testimi e inspektimi.
Është vendi ku fëmijët nuk hyjnë në shkollë pa mbushur 7 vjeç, shijojnë pushimet më të gjata nga të gjithë të tjerët dhe në fund, siç ndodhi në vitin 2000, rrëmbyen pikët më të larta në testet ndërkombëtare, duke i lënë të gjithë gojëhapur.
Cili është çelësi i suksesit? Studimi i realizuar nga Gabriel Heller Sahlgren, drejtor i sektorit të kërkimeve në Qendrën për Reformën në Arsim, imazhi vezullues i Finlandës si superfuqi edukimi nuk i detyrohet kulturës liberale të nxënies, as kurrikulumit formal apo autonomisë së shtuar për mësuesit. Atributet e arritjeve të deritanishme, në këndvështrimin e tij, i takojnë të gjitha sistemit të vjetër dhe shumë më tradicional të edukimit, i cili ka qenë pjesë e procesit të rritjes së kombit.
Në pjesën e parë të shekullit të 20, krahasuar me fqinjët e saj nordikë, Finlanda ishte një shtet “i zhvilluar më vonë”, më e varfër se të tjerët e me nivel më të ulët arsimor. Por, investimi i jashtëzakonshëm që bëri në arsim dha rezultate të shpejta. Sistemi, me të cilin ishin përgatitur edhe shumë prej mësuesve të saj të zotë, ishte i mirëstrukturuar.
Po të lëvizje atëherë shkollë më shkollë, do të shihje sesi të gjitha kishin pothuajse të njëjtat programe. Parimi ishte i qartë: mosngarkimi i madh i fëmijës, çka dëshmohet nga fakti që provimi i parë i detyrueshëm është vetëm në moshën 16 vjeç. Gjatë 9 viteve të para të shkollës, 30% e fëmijëve atje marrin ndihmë shtesë; klasat shkencore nuk kanë më shumë se 16 nxënës, në mënyrë që secili prej tyre të marrë pjesë në eksperiementet praktike; fëmijët e shkollës fillore kanë mesatarisht 75 minuta pushim në ditë krahasuar me 27 që kane ata në Amerikë; sistemi shkollor financohet 100% nga shteti dhe të gjithë mësuesit duhet të kenë një diplomë masteri.
Për shumë kohë, dallimi mes nxënësve të dalluar e atyre të dobët në Finlandë ka qenë më i ulëti në botë. Shkollën e lartë e përfundojnë 93% e finlandezëve.