Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Finlanda mbështet Grenlandën të mbetet pjesë e Danimarkës

Finlanda mbështet Grenlandën të mbetet pjesë e Danimarkës

Finlanda mbështet Grenlandën të mbetet pjesë e Danimarkës, deklaroi të dielën kryeministri Petteri Orpo, sipas transmetuesit publik YLE.

Orpo theksoi pozicionin e Finlandës për shenjtërinë e kufijve ndërkombëtarë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje të njëanshme për t’i ndryshuar ato.

“Parimi fillestar është se kufijtë nuk mund të zhvendosen nga dikush tjetër”, tha Orpo, duke iu drejtuar diskutimeve rreth sovranitetit të Grenlandës.

Orpo preku gjithashtu interesin e ripërtërirë të Presidentit të ShBA-së Donald Trump për blerjen e Grenlandës, një propozim që Trump bëri fillimisht në vitin 2019. Përderisa sa qeveria daneze e qortoi idenë në atë kohë, Trump përsëriti qëndrimin e tij të hënën e kaluar, duke e quajtur Grenlandën “një vend të mrekullueshëm” dhe duke theksuar rëndësi strategjike për sigurinë ndërkombëtare.

“Ne kemi nevojë për atë për sigurinë ndërkombëtare”, tha Trump, ndërsa nënshkroi urdhrat ekzekutiv.

Orpo, megjithatë, paralajmëroi se çdo tarifë që ShBA-ja mund të vendosë në Evropë mund të dëmtojë ekonominë e orientuar nga eksportet e Finlandës. “Nëse tarifat do të vendoseshin në Evropë, sigurisht që do të ishte e dëmshme për Finlandën”, vuri në dukje ai.

Tensionet e Detit Baltik

Kryeministri finlandez trajtoi gjithashtu shqetësimet e përshkallëzuara të sigurisë në Detin Baltik pas disa incidenteve të infrastrukturës të lidhura me “flotën hije” të Rusisë.

“Është mjaft evidente se anija Eagle S është përgjegjëse për dëmtimin e kabllit. Është gjithashtu e qartë se flota hije e Rusisë i ka shkaktuar këto në mënyrë të përsëritur”, tha Orpo, duke iu referuar ndalimit në dhjetor të anijes cisternë të lidhur me Rusinë Eagle S pasi një kabllo nënujore u dëmtua në ditën e Krishtlindjes.

Orpo konfirmoi se hetimet për ngjarjen janë në vazhdim.

Deti Baltik ka qenë dëshmitar i një sërë ndërprerjesh të profilit të lartë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022. Nëntorin e kaluar, kabllot e telekomunikacionit midis Suedisë dhe Danimarkës u ndërprenë, me autoritetet suedeze që dyshojnë për përfshirjen e anijes kineze Yi Peng 3. Kina mohoi akuzat dhe bllokoi kërkesën e Suedisë për të hetuar anijen.

Për më tepër, dy kabllo nëndetëse – kablloja Arelion që lidh Gotland me Lituaninë dhe kablloja C-Lion 1 që lidh Helsinkin me Rostock – u dëmtuan në mesin e nëntorit pranë ujërave territoriale të Suedisë. Zyrtarët evropianë kanë sugjeruar sabotim, potencialisht të lidhur me veprimet e Rusisë në rajon, megjithëse Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e tilla si “absurde”.

TRT Balkan / agjencitë

Exit mobile version