Qeveria finlandeze ka ofruar të krijojë një bazë në territorin e saj për dronët e mëdhenj të zbulimit Recon të NATO-s, transmeton Anadolu.
Siç raportuan mediat lokale, dronët aktualisht operojnë nga Italia, por në gusht ata fluturuan gjithashtu mbi hapësirën ajrore finlandeze për të mbledhur inteligjencë përgjatë kufirit lindor të vendit.
Sipas transmetuesit kombëtar Yle, Forcat Ajrore Finlandeze kanë katër baza alternative, nga të cilat Pirkkala është vendi më i mundshëm.
Planet e NATO-s për bazën e re janë ende në fazat e hershme dhe një vendim për lokacionin e bazës së dronëve pritet të merret vitin e ardhshëm.
Megjithatë, aleanca ushtarake konfirmoi se ka nevojë për një lokacion për dronët e mbikëqyrjes në Evropën Veriore, sipas Yle.
Finlanda forcoi aftësitë e saj mbrojtëse pas anëtarësimit në NATO më 4 prill 2023, gjë që ndryshoi ekuilibrin e fuqisë në Evropën Veriore dhe rezultoi në rritje të tensioneve me Rusinë.
Anëtarësimi i Finlandës në NATO shkaktoi kërcënime ushtarake nga Kremlini, me ç’rast presidenti rus Vladimir Putin akuzoi perëndimin për “zvarritje” të Finlandës në aleancën ushtarake dhe krijimin e përçarjes midis Moskës dhe Helsinkit.
Në dhjetor, Finlanda mbylli kufijtë e saj me Rusinë. Autoritetet në Helsinki akuzuan Moskën për kryerjen e një “sulmi hibrid” të dyshuar duke ndihmuar me qëllim migrantët pa dokumente për të kaluar në vendin nordik, një pretendim që Rusia e mohoi.
Në mars, Kongsberg Defense & Aerospace (KONGSBERG), një kompani finlandeze, si dhe Patria, një kompani ndërkombëtare e mbrojtjes dhe teknologjisë, nënshkruan një marrëveshje për montimin e stacioneve të armëve në distancë PROTECTOR në mbi 300 automjete Patria në Suedi dhe Finlandë.
Dorëzimi do të fillojë në vitin 2025 dhe do të vazhdojë për më shumë vite, sipas raporteve të fundit të mediave.