Finlanda do të ndërtojë barriera në kufirin me Rusinë

Qeveria e Finlandës planifikon të ndryshojë legjislacionin e kufirit për të lejuar ndërtimin e barrierave në kufirin e saj lindor me Rusinë.

Kjo si një lëvizje për të forcuar gatishmërinë kundër kërcënimeve hibride në mes të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Finlanda, e cila aktualisht është duke aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore në NATO, ka një histori luftërash me Rusinë, megjithëse aktualisht zona kufitare e mbuluar me pyje midis dy vendeve është shënuar vetëm me shenja dhe vija plastike për pjesën më të madhe të 1300 kilometra të saj, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.

Qeveria finlandeze ka nxituar të forcojë sigurinë kufitare pasi ka frikë se Rusia mund të tentojë të ushtrojë presion mbi Finlandën duke dërguar azilkërkues në kufijtë e saj – siç e akuzoi Bashkimi Evropian për Bjellorusinë në fund të vitit të kaluar, kur qindra emigrantë nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika u mbërthyen në kufirin polak.

Sipas rregullave ekzistuese të BE-së, migrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil në çdo pikë hyrjeje në një vend anëtar të BE-së. Ndryshimet do të lejojnë gjithashtu ndërtimin e barrierave, të tilla si gardhe, si dhe rrugë të reja për të lehtësuar patrullimin kufitar në anën finlandeze.