Që në zanafillë Darvini mendonte se, kodi gjenetik (ADN) që meriton të ekzistojë është vetëm ai që ia del të mbijetojë përballë çdo sfide që i kanoset. Nuk ka rëndësi rruga ai zgjedh, sepse në thelb duhet të mbijetojë, dhe si i tillë ky kod gjenetik konsiderohet i suksesshëm dhe vetëm ky meriton jetën.
Kjo mendësi është filozofia dominante e kohës sonë. Shumë trajnime, fjalime dhe diskutime sillen rreth suksesit, sidomos atij ekonomik dhe mediatik. Ndryshe konsiderohesh i dështuar dhe nuk je ekzistent.
Kjo mendësi, ka shembur çdo diskutim rreth formës dhe metodës se si duhet arritur ky sukses.
Nuk kam për qëllim me këtë kundërshtimin e suksesit, por diskutimin se çfarë është suksesi real dhe cila është mënyra që i shkon përshtat qenies njerëzore.
Kur’ani na tregon se, kulmi i suksesit të njeriut është kur ai arrin gjetjen e EKUILIBRIT, pra bëhet i ekuilibruar.
Suksesi jashtë dhe larg ekuilibrave nuk është sukses, sepse nëse dikush arrin të bëhet i pasur por ka degraduar moralisht, nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. As nëse dikush bën karrierë por ka shkelur të gjitha normat për hatër të pozitës, nuk konsiderohet i suksesshëm. Këta njerëz individualisht mund ti kenë arritur objektivat e veta, por për këtë mund të kenë dëmtuar shoqërinë përreth.
Prandaj, suksesi më i lartë është realizimi i një suksesi të ekuilibruar, ku ka një balancë midis vetes dhe shoqërisë, karrierës dhe familjes, parasë dhe dinjitetit, pozitës dhe moralit, etj.
Në këtë formë, suksesi nuk është i pjesshëm, por i plotë dhe i ekuilibruar.
Hoxhë Vladimir Kera