Njeriu modern, i mbërthyer dhe i mahnitur nga moderniteti, i zhytur në teknologji dhe zhvillim, shpesh e sheh veten si të gjithëpushtetshëm dhe të pakonkurueshëm. Në këtë rrjedhë të pandalshme të progresit, ai shpesh harron kufizimet e tij dhe faktin se ka realitete përtej kontrollit të tij.
Ka shumë gjëra që nuk i kuptojmë, situata që nuk mund t’i ndryshojmë, të mira për të cilat nuk dimë të falënderojmë dhe mëkate që na rëndojnë ndërgjegjen. Për njeriun modern, shpesh nuk ka zgjidhje tjetër veçse të analizojë realitetin, pa gjetur domosdoshmërisht një rrugëdalje.
Në këtë gjendje dhe sfide intelektuale lindin disa pyetje thelbësore:
Cila është qasja e tij përballë mëkatit, i cili lë gjurmë në shpirtin njerëzor?
Si reagon ai përballë vdekjes së një njeriu të afërt apo të largët?
Çfarë bën njeriu modern për të qetësuar ndërgjegjen përballë ngjarjeve që nuk ka fuqinë t’i ndryshojë apo t’i shpjegojë?
Këtu ndërhyn filozofia e lutjes. Lutja nuk është thjesht një akt apo ritual, por një urë mes njeriut dhe Zotit, një formë komunikimi që i jep kuptim përvojave të tij. Kjo filozofi shfaqet që në fillimet e njerëzimit, siç përmendet në Kur’an: Kur Ademi (a.s.) dhe bashkëshortja e tij kryen mëkatin e parë, ata iu drejtuan Zotit dhe thanë:
“Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve.” (El-A’raf: 23)
Në këtë moment, Zoti hapi një derë të veçantë për njerëzimin – derën e lutjes.
“E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali gabimin; Ai është Mëshirues dhe Pranues i pendimit.” (El-Bekare: 37)
Lutja bëhet një shprehje e natyrshme e shpirtit në momentet kur mendja nuk mund të gjejë më shpjegime, kur analizat janë të pamjaftueshme dhe kur realiteti përballet me kufijtë e tij. Ajo nuk është vetëm një kërkesë për ndihmë, por edhe një njohje e kufizimeve njerëzore dhe një pohim i fuqisë hyjnore.
Kur mendja ndalon, lutja bëhet kuptim.
Kur shpjegimet mbarojnë, lutja bëhet shpjegim.
Kur pamundësia mbizotëron, lutja bëhet mundësi.
Hoxhë Vladimir Kera