Në pamjet e filmuara nga ajri tërheq vëmendjen se Guta Lindore në Siri, të cilën regjimi i Bashar Al-Asadit e mban nën rrethim dhe vazhdon ta sulmojë duke injoruar vendimet e armëpushimit, është shndërruar në një qytet rrënojash që nuk i kanë mbetur shenja jete.
Anadolu Agency (AA) ka filmuar me dron rajonin e Gutës Lindore, ku në pamjet e filmuara në lagje të ndryshme në zonën Duma tërheqin vëmendjen venbanimet civile dhe apartamentet e dëmtuara njëra pas tjetrës, rrugët e shkatërruara që janë të mbushura me automjete të shkatërruara.
Ndërsa në lagjet ku shkatërrimet janë më të pakta vërehen dhomat e apartamenteve me fasadat e jashtme të shembura plotësisht. Në dhomat me muret e shembura mund të vërehen edhe sendet të cilat të përkujtojnë jetën para luftës.
Fëmija që shikon jashtë nga dhoma e tij
Në pamjet e marra me dron bie në sy një fëmijë i cili me sa kuptohet ndodhet në dhomën e gjumit të një apartamenti që është duke qëndruar në këmbë dhe duke vëzhguar shembjet në lagje.
Nga çatia e të njëjtit apartament vërehet peizazhi nga lartë i zonës Duma i cili të lë të kuptosh se para luftës ka qenë shumë i rregulluar dhe i bukur.
Në rrugët e shkatërruara shihen pak njerëz të cilët përpiqen të lëvizin me motoçikleta në zonat ku janë ndalur bombardimet.
Në një lagje tjetër e cila ka pësuar dëmtim më të rëndë të përkujton një lagje fantazmë. Aty shihet se janë shembur edhe minaret e xhamive. Droni në lagjen e shkatërruar plotësisht ku nuk vërehet as edhe një njeri ka kapur në objektivin e tij edhe një varrezë e cila reflekton pamjen se lagjja është shndërruar në një varrezë.
Teksa droni filmon, Asadi godet sërish
Ndërsa në momentet që droni është ngritur për të filmuar në një tjetër lagje e shndërruar në varrezë vërehet se po kryhen bombardime të reja dhe tymërat që ngrihen në ajër.
Guta Lindore me territor prej 104 kilometra katrorë që përfshin disa zona dhe komuna në lindje të Damaskut, është bërë pjesë e katastrofës më të madhe të luftës civile. Rreth 400 mijë civilë nga të cilët gjysma janë fëmijë që prej më shumë se 5 vitesh po përballen me sulmet intensive dhe mungesën e ushqimeve dhe ilaçeve.
Pavarësisht se Guta Lindore në Marrëveshjen e Astana-s u shpall “rajon për uljen e tensioneve”, regjimi i Asadit për të cilin rolin garantues e ka marrë përsipër Rusia që nga muaji prill i vitit të kaluar ka intensifikuar rrehtimin e tij në këtë rajon ndërsa në muajt e fundit ka shtuar edhe sulmet e tij.
Në këtë rajon ku kriza njerëzore është thelluar ndodhen qindra të sëmurë që presin në mënyrë emergjente për evakuim. Shumica e tyre janë fëmijë dhe të sëmurë me kancer të përparuar. Ndërkohë që si pasojë e mugesës së ushqimeve dhe ilaçeve kanë humbur jetën shumë foshnja në Gutën Lindore.
Regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij vazhdojnë ende sulmet e tyre pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe armëpushimit për 5 orë çdo ditë të shpallur nga Rusia. Civilët kanë zbritur në strehimoret nëntokësore në një situatë ku mbizotëron errësira dhe nuk ka ngrohje e as ushqime.
Për shkak të sulmeve të cilat janë rritur në javët e fundit një pjesë e madhe e civilëve ende kanë frikë të dalin nga bunkerët nën tokë.
Mbrojtja Civile (Baretat e Bardha) në një deklaratë të bërë ditën e djeshme njoftoi se në sulmet intensive ajrore dhe tokësore të ndërmarra gjatë periudhës 19-27 shkurt nga regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij Rusia dhe grupet e huaja kanë humbur jetën gjithsej 560 civilë nga të cilët 107 fëmijë dhe 76 gra.