Fillon takimi i koalicionit anti-DEASH në Romë

Takimi ministror i Koalicionit Global Kundër DEASH-it filloi sot në kryeqytetin e Italisë, Romë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e koalicionit anti-DEASH, të pritur nga Italia, do të marrë pjesë në nivel ministror më shumë se gjysma e koalicionit me 83 anëtarë, që bashkëkryesohet nga SHBA-ja.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, merr pjesë në takim, së bashku me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, midis zyrtarëve të tjerë.

Shqipëria përfaqësohet në takim nga delegacioni i kryesuar nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Duke folur në hapjen e takimit, ministri Di Maio tha se DEASH u mposht për sa i përket humbjes së territorit të saj, por nuk mund të çrrënjoset plotësisht.

Ai shtoi se meqenëse mbetet shumë për të bërë, Italia mund të rrisë pjesëmarrjen e saj në misionet e NATO-s në Irak.

Nga ana e tij, Blinken theksoi se janë arritur suksese të rëndësishme kundër DEASH-it, po ashtu duke nënvizuar se ka ende përparim për t’u bërë dhe duke nxitur bashkëpunimin.

Takimi në Romë, i cili është ngjarja e parë ballë për ballë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), synon të konfirmojë se anëtarët e koalicionit janë në të njëjtën faqe për mposhtjen absolute të DEASH-it, si dhe angazhimin e tyre për stabilizimin e zonave të çliruara të Sirisë dhe Irakut dhe konsolidimin e bashkëpunimit midis grupeve të punës.

Në takim, me kërkesë të Italisë, po ashtu do të diskutohet mbi kërcënimin e paraqitur nga organizatat terroriste të lidhura me DEASH-in në Sahel dhe rajone të ndryshme të Afrikës.

Pas takimit, Di Maio dhe Blinken do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Një takim tjetër ministror mbi Sirinë është caktuar gjithashtu më vonë. /aa